2008-11-26 18:51:07

365 ditë: "Alfred Shtanke, françeskani nën uniformën gjermane".


(26.11.2008 RV)Mbi burgun e Burzh, në zemër të Francës, bie nata. Shumë të burgosur, mbyllur në qeli, i hapin mirë veshët. Trupat e tyre të martirizuar, mbledhur kruspull, janë plot me plagë të freskëta, që kullojnë gjak. Thua do t’i marrin në terrin e natës për t’i torturuar rishtas? Do t’i bëjnë ballë grushteve, shuplakave, ulurimave e kërcënimeve të xhelatëve? Do të mund t’i durojnë talljet e përqeshjet kur, në kulmin e torturës, nuk do të durojnë më e do të kërkojnë mëshirë? Vuajtjeve fizike u shtohen ato morale. Disave nuk u kujtohet fare ç’kanë thënë e ç’kanë bërë gjatë hetuesisë. Ndoshta i kanë tradhtuar miqtë e shokët, që luftojnë kundër pushtimit nazist gjerman, e nuk e mbajnë mend fare. Apo ndoshta kanë mundur të qëndrojnë? Ku ta dish!
Në qelinë e errët dëgjohet një zhurmë. Një kyç rrotullohet në bravë. I burgosuri plot plagë pëshpërit diçka të pakuptuar. Një njeri i shëndoshë, veshur me uniformë gjermane, i afrohet.
“Mos kij frikë, jam infermier gjerman, vëlla Alfredi i urdhërit të Shën Françeskut. Jam këtu për të të mjekuar.
I burgosuri mblidhet lëmsh. Duhet të jetë një kurth i ri i kriminelëve, që e katandisen në atë gjendje. Vëlla Alfredi i flet, ndërsa hap çantën, mbi të cilën bie në sy një kryq i kuq, e pyet të plagosurin në se pranon ta mjekojë, e siguron se do t’ia lehtësojë dhimbjet. I burgosuri, i mrekulluar nga ëmbëlsia e zërit, ngre sytë, shikon fytyrën e njeriut që e lut.... lehtësohet e nis të qajë me dënesë.
Vëlla Alfredi shkon qeli në qeli. Disave u sjell lajme nga familjet, të tjerët i dorëzojnë letra, mesazhe për të njoftuar të afërmit të ruhen nga rreziku i arrestimit.
Me ndihmën e rojeve franceze, mjekon, flet, dëgjon, rrëfen të gjithë ata që së shpejti do të pushkatohen, lutet me ta. I këshillon edhe për qëndrimin që duhet të mbajnë gjatë hetuesisë. Disa mendojnë se mund t’i gënjejnë xhelatët, duke shpikur gjithfarë historish. Por kjo bën efekt të kundërt; e shton edhe më shumë mizorinë e ushtarëve. Pasi e kryen shërbimin e natës, vëlla Alfredi shkon të takojë familjet dhe miqtë e të burgosurve.‘Françeskani i Burzh” - kështu e thërresin të gjithë - mund të arrestohet nga çasti në çast. Në se do ta kapin duke ndihmuar ‘terroristët’, ‘armiqtë e atdheut’, merret me mend ç’tortura të rafinuara do të provojnë mbi trupin e tij. Kur këto mendime nisin t’ia turbullojnë kokën, vëlla Alfredi e lëshon veten plotësisht në dorë të Zotit, i kërkon forcën e duhur për të vijuar rrugën që ka nisur. E mendon hollësisht çdo veprim, që të mos ngjallë kurrfarë dyshimi. Nuk ka frikë për jetën e tij, jo! Mendon se duhet të jetojë akoma, sepse shumë njerëz kanë nevojë për ndihmën e tij.
Mrekullisht vëlla Alfredi, megjithë rreziqet e mëdha që përballon, nuk zbulohet asnjëherë nga xhelatët e burgjeve hitleriane.







All the contents on this site are copyrighted ©.