2008-11-25 16:15:10

Sot u përkujtua dita botërore për zhdukjen e dhunës kundër grave


(25.11.2008 RV)Ende sot dhuna është një nga shkaqet e para të vdekjes e të gjymtimit të grave, në veçanti të atyre nga 15 deri në 44 vjeç. Lajmi u dha nga OKB pikërisht sot në ditën botërore të zhdukjes së dhunës kundër grave. Në mesazhin e tij sekretari i përgjithshëm i OKB-ës Ban Ki Moon, bëri thirrje që të zbatohen ligjet ekzistuese dhe që krimet të mos kalojnë pa u ndëshkuar, e që sidomos të marrin fund krime veçanërisht të urryera si përdhunimet në Kivun Verior apo në Haiti.
Ndër aktivitete e zhvilluara sot veçojmë fushatën sensibilizuese të Fondacionit Pangea Onlus, shoqatë e cila ka hapur edhe një sit internet (www.sportelloantiviolenza.org) kundër dhunës për të ndihmuar gratë që përjetojnë situata të vështira. Për më tej në mikrofonin tonë flet Ana Maria Galarreta, një nga themelueset e këtij fondacioni:

Përgjigje: Dhuna kundër grave është një dhunim i rëndë i të drejtave njerëzore viktima të së cilës janë të gjitha gratë e botës, pavarësisht nga shtresa shoqërore, nga kushtet ekonomike e nga ngjyra e lëkurës. Sigurisht është një problem kulturor që nuk zgjidhet lehtë nëmose duke punuar me bijtë tanë, me të rinjtë tanë, me burrat si edhe me vetë gratë.

Pyetje: Çfarë kuptohet sot me fjalët “dhunë kundër grave”?

Përgjigje: Dikur flitej për dhunë kundër grave sidomos përsa i përket aspektit fizik. Tani e dimë se dhuna shkon përtej dhunës fizike që është vetëm etapa më brutale e më e dukshme e dhunës. Dhunë është edhe ajo ekonomike apo ajo së cilës i nënshtrohen fëmijët kur shohin babain duke iu vërsulur nënës. Është bërë diçka edhe më e ndërlikuar sesa përpara. Në të kaluarën dëgjonim të flitej për dhunë mbasi vritej një grua e ndër të tjera, krejt absurde, thuhej edhe se “ka vdekur nga dashuria” apo nga “çmenduria e dashurisë”. Fatkeqësisht dashuria është krejt tjetër gjë e nuk mund të shkaktojë vdekjen.

Pyetje: Cila është këshilla që u jepni grave?

Përgjigje: Para së gjithash të mos të ndihen të vetmuara e të gjejnë forca për të reaguar. Asnjeri nuk ka të drejtë të dhunojë mendjen tënde, trupin tënd. Asnjeri, e aq më pak njeriu që ti do.







All the contents on this site are copyrighted ©.