2008-11-25 16:02:12

Ipeshkvijtë e Kilit në vizitë ad limina në Vatikan. Imzot Goiq Karmeliq: duam t’i bëjmë laikët më protagonistë në kishën tonë


(25.11.2008 RV)Ka filluar dje e do të përfundojë më 5 dhjetor vizita "ad Limina Apostolorum - tek Varret e Apostujve" e ipeshkvijve të Kilit. Si çdo Kishë tjetër e Amerikës latine edhe ajo e Kilit po përjeton valën ungjillëzuese të Aparesidës – vendit të vogël brazilian ku vitin e shkuar të gjithë ipeshkvijtë e Amerikës latine u mblodhën në kuvend. Misioni i ungjillëzimit të ri, që nisi menjëherë pas kësaj konference, e ka bërë kishën kilene t’i kushtojë vëmendje e përkujdesje të veçanta familjes, të rinjve dhe laikëve në përgjithësi. Këto impenjime konkrete i pohoi edhe imzot Alehandro Goiq Karmeliq, kryetar i konferencës ipeshkvnore kilene, i cili kryeson delegacionin e ipeshkvijve të vendit në vizitë ad limina në Vatikan:

Përgjigje: Ne si konferencë ipeshkvnore kemi botuar së fundmi edhe udhëzimet baritore në përputhje me konferencën e Aparesidës. Përveç familjes e të rinjve, dioqezat tona po i kushtojnë një vëmendje të posaçme edhe laikëve, që të impenjohen më tepër në shoqërinë tonë. E pikërisht këtë impenjim duam ta përforcojmë, së bashku me praninë e laikëve në arsim, në botën sindikaliste e politike si edhe në shoqëri në përgjithësi.

Pyetje: Është ndezur beteja kundër abortit dhe kërcënimeve ndaj jetës dhe familjes. Cila është situata në Kili?

Përgjigje: Mbi temën e abortit nuk ka asnjë mundësi që qeveria të miratojë një ligj, sepse nuk ka qenë në programin e presidentit të tashëm të republikës. Ka, po, grupe që do të donin ta ligjëronin abortin terapeutik, por për fat shumica në këtë vend është kundër e kemi besim se do të jetë kështu edhe në të ardhmen. Ka në fakt, projektligje parlamentare që u kundërvihen vlerave themelore të Ungjillit, të cilat ne si prelatë, i ndjekim me vëmendje. Vendit i bëjmë të njohur mendimin tonë, ndërsa besimtarëve të impenjuar në politikë u kërkojmë të veprojnë në përputhje me ndërgjegjen e tyre, si në parlament, ashtu edhe në të gjitha fushat e jetës shoqërore. Ka shumë njerëz vullnetmirë, pastaj, që edhe pse nuk e kanë dhantinë e besimit e pranojnë propozimin tonë për mbrojtjen e jetës.







All the contents on this site are copyrighted ©.