Të jesh i drejtë do të thotë të jesh me Krishtin e në Krishtin
(19.11.2008 RV) Të dashur vëllezër e motra, në rrugën që po përshkojmë,
të udhëhequr nga Shën Pali, po ndalohemi tani tek një temë, që është në qendër të
mosmarrëveshjeve të shekullit të Reformës: tek çështja e shfajsimit. Si bëhet i drejtë
njeriu para syve të Zotit? Kur Pali takoi Krishtin e ngjallur në rrugën e Damaskut,
ishte njeri i realizuar: i pacënueshëm përsa i përket drejtësisë dhe jetës në pikëpamje
të Ligjit (Fil 3, 6), ua kalonte shumë bashkëmoshtarëve në kryerjen e veprave
të përshkruara nga Ligji i Moisiut dhe mbronte me zell traditat e etërve (cfr Gal
1-14). Shndritja në rrugën e Damaskut ia ndryshoi jetën rrënjësisht: nisi t’i
shikojë të gjitha meritat, fituar gjatë një karriere fetare të ndershme, si ‘fundërri’,
para naltësive të njohjes së Jezu Krishtit (cfr Fil 3, 8). Letra drejtuar
Filipianëve na jep një dëshmi prekëse të kalimit të Shën Palit nga një drejtësi
e bazuar mbi Ligjin dhe e fituar me anë të veprave të tij, në një drejtësi të fituar
nga feja në Krishtin: ai e kuptoi se gjithçka, që deri atëherë i qe dukur si fitim,
në të vërtetë përballë Zotit ishte humbje e vendosi, prandaj, ta shkrinte gjithë
jetën e vet për Jezu Krishtin (cfr Fil 3,7). Thesari i fshehur në arë e
margaritari i çmuar, për blerjen e të cilit shitet gjithçka tjetër, nuk ishin më veprat
e Ligjit, por Jezu Krishti, Zoti i tij.
Lidhja e Palit me Krishtin e ngjallur
tashmë bëhet aq e thellë, sa ta shtyjë të pohojë se për të Krishti ishte jetë e vdekja
fitesë (Fil 1, 21). E jo sepse e përbuzte jetën, por sepse kishte kuptuar se
për të, të jetuarit nuk kishte tjetër qëllim e as tjetër dëshirë, veç arritjes tek
Krishtit, si në një garë atletike, për të ndenjur gjithnjë me Të: Krishti i ngjallur
ishte bërë fillesa e fundi i jetës së tij, shkaku e caku i vrapimit të tij. Vetëm
shqetësimi për pjekurinë e fesë së atyre që kishte ungjillëzuar e kujdesi i përditshëm
për të gjitha Kishat, që kishte themeluar (cfr 2 Kor 11,28) e bënin ta ngadalësonte
vrapin drejt Zotit të tij të vetëm, për të pritur dishepujt, që të mund të vraponin
bashkë me të drejt cakut. Në se në mbajtjen e mëparshme të Ligjit nuk kishte asgjë
të qortueshme në pikëpamje të pastërtisë morale, pasi u rrëmbye nga Krishti, fort
pak i interesonte ta gjykonte vetveten (cfr 1 Kor 4,3-4); kufizohej vetëm të
propozonte vijimin e vrapit, që të arrinte tek Jezu Krishti, që e kishte bërë aq shumë
për vete (cfr Fil 3,12).
E pikërisht përmes kësaj përvoje personale
në lidhje me Jezusin, Pali vë në qendër të Ungjillit të tij papajtueshmërinë ndërmjet
dy rrugëve të mundshme, të cilat e çojnë njeriun tek drejtësia: njëra, që përbëhet
nga veprat e Ligjit, tjetra, e bazuar mbi hirin e fesë në Krishtin. Mundësia për arritjen
e drejtësisë përmes veprave të Ligjit ose përmes fesë në Jezu Krishtin, bëhet një
nga arsyetimet kryesore që përshkojnë Letrat e tij. “Ne jemi prej natyre hebrenj e
jo mëkatarë nga paganizmi. Dhe e dimë tashti se njeriu nuk shfajsohet në sajë të veprave
të Ligjit, por vetëm në sajë të fesë në Jezu Krishtin. Prandaj ne besuam në Krishtin,
që ta fitojmë drejtësinë nga feja e Krishtit, e jo nga veprat e Ligjit, sepse askush
nuk do të mund ta fitojë drejtësinë me anë të veprave të Ligjit (Gal 2,15-16).
Ndërsa të krishterëve të Romës u kujton se “të gjithë kanë mëkatuar e janë të
përjashtuar nga lumnia e Hyut, por janë përligjur falas me anë të hirit të tij, në
fuqi të shpërblimit të kryer prej Jezu Krishtit. (Rom. 3, 23-24).E
shton: “Ne besojmë, njëmend, se njeriu shpërblehet me anë të fesë, pavarësisht
nga veprat e përshkruara prej Ligjit (Ibid 28). Luteri e përktheu këtë: “i
shfajsuar vetëm me anë të fesë”. Do të rikthehem në këtë pikë në fund të katekizmit.
Më parë duhet të sqarojmë ç’ishte ky ‘Ligj’, nga i cili u çliruam e ç’ishin këto ‘vepra
të Ligjit’, që nuk shfajsojnë. Që në bashkësinë e Korintit ekzistonte opinioni, që
më pas do të përsëritej sistematikisht në histori; besohej se ishte fjala për ligjin
moral e se liria e krishterë s’ishte tjetër, veçse çlirim nga etika. Kështu në Korint
qarkullonte shprehja “πάντα μοι έξεστιν” ‘më lejohet gjithçka’. Është e qartë
se ky shpjegim ishte i gabuar: liria e krishterë nuk është libertinizëm; çlirimi për
të cilin flet Shën Pali, nuk është çlirim nga detyra për të bërë mirë.
Por
ç’kuptim ka Ligji, nga i cili nuk u çliruam e që nuk të shpëton? Për Shën Palin, ashtu
si për të gjithë bashkëkohësit, fjala Ligj nënkuptonte Torah në tërësinë e tij, dmth
të pesë librat e Moisiut. Torah, sipas kuptimit farizeik, të cilin Pali e kishte studiuar
dhe e kishte bërë të vetin, përmblidhte një sërë sjelljesh, që nisnin nga thelbi etik,
deri tek sjelljet rituale e kultuale, sipas të cilave përcaktohej cili njeri ishte
i drejtë. Në mënyrë të posaçme, rrethprerja, respektimi i së shtunës, etj. Këto sjellje
kujtohen shpesh edhe në diskutimet e Jezusit me bashkëkohësit e tij. Të gjitha
këto rregulla, që shprehin një përkatësi shoqërore, kulturore e fetare, qenë bërë
posaçërisht të rëndësishme në kohën e kulturës helenistike, duke filluar nga shekulli
III para Krishtit. Kjo kulturë, kulturë universale e kohës, kulturë racionale, kulturë
politeiste, në dukje tolerante, ushtronte një presion të fortë në drejtim të sheshimit
kulturor, duke kërcënuar kështu identitetin e Izraelit, i cili detyrohej politikisht
të bënte pjesë në këtë identitet të përbashkët të kulturës helenistike, gjë që kishte
si pasojë humbjen e identitetit vetjak e, prej këndej, edhe humbjen e trashëgimisë
së çmuar të besimit të Etërve, të besimit në një Hyj të vetëm e në premtimet e Hyjit.
Kundër
këtij presioni kulturor, që kërcënonte jo vetëm identitetin izraelitik, por edhe
besimin në një Zot të vetëm e në premtimet e tij, ishte e nevojshme të krijohej një
mur, që t’i dallonte mirë palët, një mburojë për të mbrojtur e për të shpëtuar trashëgiminë
e çmuar të fesë: ku mur ishin pikërisht rregullat e normat judaike. Palit, që ishte
kapur fort pas këtyre normave, pikërisht për të mbrojtur dhuratën e Hyjit, të trashëgimisë
së fesë në një Hyj të vetëm, i dukej se ky identitet kërcënohej nga liria e të krishterëve:
prandaj i persekutonte. Në çastin e takimit të tij me Krishtin e ngjallur, kuptoi
se me Ngjalljen e Krishtit gjithçka kishte ndryshuar plotësisht: me Krishtin, Hyji
i Izraelit, Hyji i vetëm e i vërtetë, bëhet Hyj i mbarë popujve. Muri – kështu thotë
në Letrën drejtuar Efezianëve – ndërmjet Izraelit e paganëve, nuk është më
i nevojshëm: është Krishti, ai që i mbron kundër politeizmit e dredhimeve të tij;
është Krishti ai, që i bashkon me e në të vetmin Hyj; është Krishti
ai, që garanton identitetin tonë, në larminë e kulturave. Muri nuk është më i nevojshëm,
identiteti ynë i përbashkët në larminë e kulturave, është Krishti, e është Ai që na
bën të drejtë. Të jesh i drejtë do të thotë të jesh me Krishtin e në Krishtin. E
kjo mjafton. Nuk është nevoja për rregulla të tjera. Prandaj shprehja ‘vetëm feja’
e Luterit, është e vërtetë, në se nuk i kundërvë fenë me mëshirën, fenë me dashurinë.
Fe do të thotë të shikosh Krishtin, t’i besosh Krishtit, të jesh i lidhur ngushtë
me Krishtin, të bëhesh një me Krishtin, me jetën e tij. E jeta e Krishtit është dashuri.
Prej këndej, të besosh do të thotë të bëhesh një me Krishtin e të hysh në dashurinë
e Tij. Prandaj në Letrën drejtuar Galatasve, në të cilën zhvillon doktrinën
e tij mbi shfajsimin, flet për fenë që vepron përmes dashurisë (Gal 5, 14)
Pali
e di se i tërë ligji përmblidhet në dashurinë e dyfishtë për Zotin e për të afërmin.
Kështu, në bashkimin me Krishtin në fenë, që krijon dashurinë, Ligji realizohet plotësisht.
Bëhemi të drejtë, duke hyrë në bashkim me Krishtin, që është dashuri. Të njëjtën gjë
e shikojmë në Ungjilin e së dielës së ardhshme, në Solemnitetin e Krishtit Mbret.
Është Ungjilli i gjykatësit, që gjykon vetëm përmes dashurisë. Prej këndej, Ai bën
vetëm këtë pyetje: “A më vizitove kur isha i sëmurë? Kur isha në burg? Më dhe të ha,
kur isha i uritur; më veshe kur isha lakuriq?’. E kështu është dashuria që tregon
sa i drejtë është njeriu. Në përfundim të këtij Ungjilli, gati-gati mund të themi:
vetëm dashuri, vetëm bamirësi. E ndërmjet këtij Ungjilli e Shën Palit nuk ka asnjë
kundërshtim. Është i njëjti vizion, sipas të cilit bashkimi me Krishtin, besimi në
Krishtin krijon dashuri. E dashuria është realizim i bashkimit me Krishtin. Vetëm
kështu jemi të drejtë, duke qenë të bashkuar me Të e në kurrnjë mënyrë tjetër. Në
përfundim mundemi vetëm ta lusim Zotin të na ndihmojë të besojmë. Të besojmë me të
vërtetë; e kështu besimi bëhet jetë, bashkim me Krishtin, shndërrim i jetës sonë.
E kështu, të shndërruar nga dashuria e Tij, nga dashuria për Hyjin e për të afërmin,
mund të jemi me të vërtetë të drejtë para syve të Zotit.