Sot Kisha përkujtoi Shën Andreun Dung-Lak dhe martirët e Vietnamit.
(24.11.2008 RV)Andreu Dung-Lak
lindi në Vietnam, në vitin 1795, nga prindër paganë. Duke qenë tepër e varfër, familja
ia shiti një kateksiti të krishterë, që e mbajti pranë në misionin e Vinh-Tri, ku
e pagëzoi dhe e shkolloi. Si u bë edhe ai katekist, vendosi të fillojë studimet teologjike
dhe, më 15 mars të vitit 1823 u shugurua meshtar. U caktua famullitar në zona të
ndryshme. Ndonëse në vend kishte shpërthyer persekutimi më i egër antikristian, ai
e vijoi misionin e vet, duke vënë në rrezik edhe jetën. Gjatë sundimit të mbretit
Minh-Mahn, u burgos disa herë për shkak të fesë. Por sa herë burgosej, të krishterët
e lironin nga burgu, duke paguar shumën e caktuar për këtë qëllim. E kjo nuk ishte
aspak e lehtë, në një kohë kur ai që fshihte një të krishterë, dënohej me vdekje. Më
10 nëntor 1839 Andreu u arrestua në Ké-Song e më vonë u lirua, pas pagesës së zakonshme.
Ndërsa kapërcente lumin me varkë, u arrestua nga sekretari i prefektit, i cili e njohu.
Më 16 nëntor 1839 u mbyll në qelitë e tmerrshme të burgut në Hanoi, ku iu nënshtrua
një hetuesie të gjatë e të mundimshme. I ftuar të mohojë fenë e të shkelë Kryqin,
u përgjigj se ishte gati të vdiste, por jo të mohonte. E dënuan me prerjen e kokës.
Dënimi u zbatua më 21 nëntor 1839. Së bashku me Andreun kujtohen edhe 116 martirë
të tjerë vietnamezë, që e dëshmuan besnikërinë e tyre ndaj Krishtit gjatë historisë
së ungjillëzimit të vendit. Fara e hedhur në vitin 1617 në Tonkin nga Atë Aleksandër
de Rodes, dha fryte të begata. Andreu u shpall i Lum nga papa Leoni XIII.