2008-11-24 17:39:57

Papa në Solemnitetin e Krishtit Mbret i gjithësisë: “Në se secili mendon vetëm për interesat e veta, bota nuk mund të mos shkojë drejt shkatërrimit”.


(24.11.2008 RV)RealAudioMP3 Zotit nuk i duhen gjë format hipokrite të devocionit, në se nuk vihen në jetë urdhërimet e tij: janë fjalët e Papës i cili, në lutjen e së dielës, u ndalua posaçërisht tek Solemniteti i Zotit tonë Jezu Krishtit, Mbret i universit, që u kremtua dje, duke komentuar shembëlltyrën e gjyqit të mbram. Pas lutjes mariane, kujtoi në mënyrë të posaçme 188 martirët, lumnuar sot në Japoni, zinë e bukës që tronditi Ukrainën 75 vjet më parë e pastaj, programin polak pranë Radio Vatikanit, i cili sot kremtoi 70-vjetorin e fillimit të transmetimeve.
 “E vërteta mbi fatin tonë të mbram e mbi kriterin me të cilin do të vlerësohemi” është ky – shpjegoi Papa - mesazhi i Ungjillit të sotëm dhe i asaj, që njihet si ‘shembëlltyra mahnitëse e gjyqit të fundit”. E, si kujtoi përmbajtjen e shembëlltyrës, Ati i Shenjtë nënvizoi rëndësinë e saj:
 
“Pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha i huaj e më përbujtët … (Mt 25,35) e kështu me radhë. Kush nuk e njeh tani këtë faqe? Është pjesë përbërëse e qytetërimit tonë. Gjurmët e saj - hjerakia e vlerave, institucionet, veprat e shumta të bamirësisë - duken qartë në historinë e popujve me kulturë të krishterë”.

 
Mbretëria e Hyjit, siç thoshte Jezusi, nuk është e kësaj bote e vetë Krishti nuk e pranoi titullin e mbretit në kuptimin politik të kësaj fjale, por – theksoi Benedikti XVI – kjo mbretëri realizon gjithçka të mirë që ekziston në zemrën e njeriut e në histori:

Në se vemë në jetë dashurinë për të afërmin, sipas lajmit ungjillor, atëherë i hapim rrugën sundimit të Zotit e mbretëria e tij vjen mes nesh. Por në se secili mendon vetëm për interesat e veta, bota nuk mund të mos shkojë drejt shkatërrimit”.

 
Papa kujtoi se mbretëria e Hyjit nuk ka të bëjë me nderime e salltanete por, siç shkruan Shën Pali, është drejtësi, paqe e gëzim në Shpirtin Shenjt. Një mësim i fortë ky, të cilit Papa i shtoi edhe mendime të tjera, po kaq të fuqishme: “Zoti e ka shumë për zemër të mirën tonë, dëshiron që çdo njeri të ketë jetë e, posaçërisht, që më të vegjëlit të ulen të parët në sofrën, të cilën Ai e shtron për të gjithë”:

Prandaj nuk di ç’ të bëjë me hipokrizinë e atyre që thonë: “Zot, o Zot” e pastaj nuk i zbatojnë urdhërimet (cfr Mt 7,21). Hyji i pranon në Mbretërinë e tij të amshuar ata që përpiqen ditë për ditë ta venë në jetë fjalën e Tij”.

 
Pas lutjes mariane, ndërmjet përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Benedikti XVI iu drejtua posaçërisht shtegtarëve ukrainas. U kujtoi 75-vjetorin e zisë së madhe të bukës e cila, në vitet 1932-33 shkaktoi vdekjen e miliona njerëzve në Ukrainë e në vise të tjera të Bashkimit Sovjetik nën thundrën e regjimit komunist. Papa siguroi se lutet për të vdekurit e në vijim uroi që asnjë rend politik të mos mundë më të mohojë të drejat e njeriut, lirinë e dinjitetin e tij, në emër të ideologjive shkatrrimtare. Më pas i ftoi të gjitha kombet të ecin në udhët e pajtimit e ta ndërtojnë të sotmen dhe të ardhmen, duke respektuar njeri-tjetrin e duke kërkuar sinqerisht paqen.
Benedikti XVI kujtoi edhe dy çaste posaçërisht domethënëse për jetën e Kishës:

“Të shtunën e ardhshme në Kubë do të shpallet i lum Fralet Hosè Olalo Valdés, i Urdhërit Spitalor të Shën Gjonit të Zotit. Mbrojtjes së tij qiellore ia besoj popullin kuban, posaçërisht të sëmurët e punonjësit e shëndetësisë”.

 
E pak para Kubës, Papa kujtoi kremtimin e sotëm në Japoni:

“Nesër në Japoni, në qytetin e Nagasakit, do të shpallen të Lum 188 martirë, të gjithë japonezë, burra e gra, të mbytur në pjesën e parë të shekullit XII. I siguroj të gjithë se e ndjej veten shpirtërisht të pranishëm në këtë festë kaq kuptimplote për bashkësinë katolike e për të gjithë në Vendin e lindjes së diellit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.