2008-11-24 17:40:12

Martirizimi është ushtrimi i plotë i lirisë njerëzore dhe akti më i lartë i dashurisë. Kështu kardinali Saraiva Martins në lumnimin e 188 martirëve japonezë.


(24.11.2008 RV)RealAudioMP3 Mëse 30 mijë vetë sfiduan sot paradite shiun dhe erën e acartë për të marrë pjesë në lumnimin e 188 katolikëve japonezë, të gjithë martirë të fesë në vitet 1603-1639. Organizuar në stadiumin e bejsbollit të Nagasakit, qytetit të bombës atomike, ceremonia solemne, që zgjati mëse tri orë, u kryesua nga kardinali Hosè Saraiva Martins, Prefekt nderi i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, i dërguar i veçantë i Papës Benedikti XVI, në bashkëkremtim me kardinalin Pietro Sei’iki Shirajanagi, kryeipeshkëv nderi i Tokios.
“Besnikëria e shumë martirëve, të çdo moshe e gjendjeje shoqërore, në vende e kohë e ndryshme, është shenjë e doktrinës vitale të Kishës, sepse martirizimi është ushtrimi i plotë i lirisë njerëzore dhe akti më i lartë i dashurisë”. Me këto fjalë foli kardinali Hosè Saraiva Martins në ritin e lumnimit të Pietro Kibes, meshtar jezuit, dhe të 187 shokëve të tij martirë: meshtarë, rregulltarë e laikë. Dje, siç e dëgjuat, Papa Benedikti XVI i kujtoi gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot. Mbi mesazhin që këta 188 martirë i lënë Japonisë dhe botës, intervistuam kryeipeshkvin e Nagasakit, imzot Jozef Mitsuaki Takami:
Mund të jetë pikënisje për ungjillëzimin e për rinovimin e ndërgjegjes tonë si të krishterë. Na kanë lënë një mesazh të madh: fenë, qëndrimin ndaj të tjerëve, paqen, lirinë e besimit.
Si shihet nga bashkësitë e tjera fetare e civile lumnimi i martirëve të krishterë?
Tani janë shumë të interesuar për të ditur. Ky lumnim mund të jetë edhe një rast për ne, për Kishën në Japoni, për t’ua bërë të njohur atyre fenë tonë, mesazhin që kemi për shoqërinë japoneze. Mund t’u bëjmë të ditur japonezëve të tjerë se ekzistojnë vlera jo të kësaj bote, por të përjetshme, se martirët e kanë flijuar jetën pikërisht për këtë. Në shoqërinë japoneze, ashtu si në shoqëritë e tjera, ka shumë njerëz që jetojnë në mënyrë tepër egoiste.
Pra, dëshmia e tyre e pasuron vendin?
Nuk është vetëm ky lumnim që mund ta bëjë këtë, por të gjithë ne të krishterët japonezë duhet të bëjmë përpjekje për ta pasuruar vendin, duke sjellë trashëgiminë tonë të krishterë, duke dhënë dëshminë tonë. Duhet të vazhdojmë, gjithmonë.
Cilat janë kriteret, që çuan në lumnimin e 188 martirëve. Përgjigjet ipeshkvi i Takamatsut, imzot Osamu Mizobe, kryetar i Komisionit të ipeshkvijve japonezë për çështjen e lumnimit:
Në zgjedhjen e këtyre martirëve, jemi bazuar në katër kritere. I pari është ky: për japonezët, për jetën katolike në Japoni. Së dyti është: deri tani të gjithë shenjtorët e të Lumët kanë qenë burra, kësaj here morëm parasysh gratë, fëmijët. Së treti: 400 vjet më parë, Kisha Katolike u përhap në të gjithë Japoninë, atëherë kemi zgjedhur nga të gjitha dioqezat. Së fundi, kriteri i katërt na ka bërë të zgjedhim katër meshtarë, shumë të njohur, por ka edhe shumë meshtarë të tjerë martirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.