2008-11-24 17:40:42

Gjykatësi urdhëron heqjen e Kryqeve në një shkollë të Valadolidit. Keqardhja e kryeipeshkvit të qytetit iberik.


(24.11.2008 RV)RealAudioMP3 Shkakton shqetësim në Spanjë vendimi i një gjykatësi për heqjen e Kryqeve nga klasat e një shkolle publike në Valadolid, pavarësisht nga kundërshtimi i hapur i këshillit pedagogjik. Është hera e parë që drejtësia spanjolle mban një qëndrim të tillë. Vendimi i gjykatës e detyron shkollën “Mafias Pikavea’ t’i heqë simbolet fetare nga klasat, duke iu përgjigjur kështu pozitivisht kërkesës së një shoqate që lufton për shkollën laike. Kryeipeshkvi i Valadolidit, imzot Braulio Rodrigeth Platha, shpreh keqardhjen e tij në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje - Para mi la sentenzia...
Vendimi për mua ishte një pakënaqësi dhe e di se këshilli pedagogjik përbëhet nga njerëz vërtetë të mirë. Më duket se kryqi, në një kulturë si jona, nuk dëmton askënd, sepse prej tij burojnë vetëm dashuri e paqe. Në Deklaratën që bëra para mikrofonit të Radio Kope, vërejta se mbi bazën e këtij vendimi, mund të hiqen simbolet fetare nga të gjitha vendet, sepse mund t’u shkaktojnë pakënaqësi shumë njerëzve. Atëherë solla shembullin e një qyteti evropian, si Bruges, ku në çdo skaj, rrugë e kryqëzim rruge shikon figure të vogla të Zojës së Bekuar e të Krishtit e nuk e besoj se i bezdisin kalimtarët, qofshin edhe jo besimtarë. Jam i sigurtë se do të ketë nga ata, që do mendojnë se kjo është një gjë tjetër, se nuk bëhet fjalë për një klasë, për një shkollë ku shkojnë çdo ditë fëmijët…. Atëherë, sipas këtij hapi që po bëhet, thua u dashka të kërkojmë lejë edhe kur themi: “Besoj në Hyjin e në Zotin tonë Jezu Krishtin? Por nuk dua ta besoj se mund të arrijmë deri në këtë pikë! Unë do të vijoj t’i bëj të dukshëm simbolet fetare, sepse i shikoj si pjesë përbërëse të lirisë fetare, të cilën duma ta mbrojmë të gjithë.







All the contents on this site are copyrighted ©.