2008-11-24 17:41:32

365 ditë: "Udha e Kryqit e karmelitanes hebreje, Edit Shtain"


(24.11.2008 RV)RealAudioMP3 Gjëja e parë që të bie në sy tek studentja e re, Edit Shtain, është zgjuarësia e saj e jashtëzakonshme. Një nga mësuesit e saj, pati thënë: “E para është zonjusha Shtain, pas saj, zbraztësi e më pas, të tjerët...”.
Duhet ta falënderojmë, për këtë ‘të tjerët’, ku urojmë të bëjmë pjesë edhe ne. E lindur në Breslavia të Gjermanisë, në një familje hebrenjsh, deri në moshën pesëmbëdhjetë vjeçe praktikon fenë hebraike, më pas vendos të mos lutet më.
Në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçare shkon në universitetin e qytetit të lindjes e lufton për të drejtat e grave. Pastaj niset për në Götingen, e tërhequr nga mësimet e njërit nga filozofët më të mëdhenj të epokës: Edmund Husserl. Shumë shpejt bashkohet me grupin e studentëve, që ndjekin së afërmi filozofin gjenial, Maks Sheler. Fakti që ky i fundit është edhe katolik i zellshëm, e shqetëson sadopak, por e di mirë se njeriu nuk duhet të bazohet mbi paragjykimet. Si e studion veprën e Maks Shelerit, arrin në përfundim se mund të jesh mendimtar i madh e, njëkohësisht i krishterë i vërtetë.
Gjatë Luftës së dytë Botërore lë studimet për të shërbyer në Kryqin e Kuq, deri sa i shterrojnë forcat nga lodhja e tepërt. Pas lufte, rikthehet në universitet e bëhet asistente e Husserlit. Njëzet e pesë vjeçe mbron doktoratën në filozofi. Por, me që ishte hebreje, e për më tepër edhe grua, nuk mund të japë mësim në universitet.
Në verën e vitit 1921 zbulon e lexon jetën e Shën Terezës së Avilës.
“Kur mbylla librin”, do të shkruajë “thashë me vete: ‘Kjo është e vërteta!”.
Kërkon të marrë Pagëzimin e i tregon s’ ëmës se ishte kthyer në fenë e krishterë. Lajmi pritet me keqardhje të thellë. Edit nuk ka guxim t’i thotë se e ka ndër mend të shkojë edhe më tej. Dëshiron të ndjekë Terezën e të bëhet si ajo, murgeshë karmelitane...
Kur Hitleri merr pushtetin, në vitin 1933, hebrenjve u ndalohet mësimdhënia. Edit është e vendosur, hyn në Karmelin e Këlnit e bëhet motër Benedikta e Kryqit.
Kundrimi i Marisë e i Jezusit e bën të lume.
“Në mëngjes, kur shkoj në kapelë e shikoj tabernakullin dhe shtatoren e Marisë, them me vete: jemi të një gjaku... Nuk mund ta përfytyroni ç’ përshtypje më bën...”.Më 1938 largohet nga Gjermania e strehohet në një nga manastiret e Vendeve të Ulëta. Por kur holandezët protestojnë për fatin e hebrenjve, nazistët, për hakmarrje, vendosin t’i arrestojnë të gjithë rregulltarët e rregulltaret me prejardhje hebraike. Edit Shtain dhe e motra, që ishte bërë edhe ajo karmelitane, vdesin në Aushvic, në një datë që nuk dihet saktësisht.
Motra Benedikta e Kryqit u shpall shenjtore nga Gjon Pali II në vitin 1998 në Bon.







All the contents on this site are copyrighted ©.