2008-11-22 17:45:23

365 ditë: "Olivje Mesajâ, kompozitori që ia kushtoi gjithë muzikën Zotit".


(23.11.2008 RV)RealAudioMP3 Ç’sallë e çuditshme koncerti! Nevojtorja natyrisht nuk mund të jetë vend poetik për të luajtur një pjesë të re muzikore... E sigurisht që Olivje Mesajâ, kompozitori që e shkroi këtë pjesë, nuk do ta kishte zgjedhur në asnjë mënyrë një ‘sallë’ të tillë, në se kjo do të varej prej tij. E megjithatë nuk ankohet, madje, në sa dëgjon muzikën që përhapet në banjon me erë të qelbur, buzëqesh tejet i kënaqur. Prej disa muajsh është mbyllur në një nga kampet e përqendrimit, së bashku me shumë ushtarë të tjerë francezë, të kapur nga gjermanët në vitin 1940. E ja se ndërmjet shokëve, zbulon tre muzikantë: njëri i bie violinës, tjetri violonçelit e i treti, klarinetës. Një t’i zbuluar Mesajâ nis menjëherë të shkruajë një trio, dmth pjesë muzikore për tre instrumente. Provat, gjatë të cilave instrumenti zëvendësohet me zë, u krijojnë tre burrave mundësinë për të shpëtuar ca çaste nga mërzitja e tmerrshme, sepse në kamp natyrisht jeta nuk është aspak e këndshme... Duke mbyllur sytë e sidomos... vrimat e hundëve, Olivje Mesajâ e harron për një çast vendin mjeran ku gjindet. Shkon me mend në Kishën e tij të Trinisë Shenjte, në Paris, kujton organot e tij, që iu besuan që kur ishte njëzet vjeç. Mesaja është organist i shkëlqyer. Kur e detyruan të shkonte në luftë, sapo i kishte mbushur të tridhjetat e, megjithatë, ishte i famshëm. Njerëzit vinin që nga larg për të shijuar lojën e tij në organo. Ishte i njohur sidomos për aftësinë e improvizimit. Shpesh herë pjesët që luante gjatë meshës, nuk ishin të shkruara në asnjë partiturë. I udhëhequr nga frymëzimi e nga lutja, krijonte melodi që i mrekullonin besimtarët, të cilët e admironin gjithnjë më shumë organistin gjenial.
Dikur... Por tani Kisha e Trinisë me gjithë besimtarë janë tepër larg...
Për fat internimi i tij duhet të përfundojë së shpejti. E vërtetë, në vitin 1942 kompozitori lirohet e niset për në Paris: është i lirë të rikthehet tek muzika e tij, tek gjithë jeta e tij e mëparshme.
Mesajâ është ende i ri e fama e tij vijon të përhapet. I kushtohet studimeve teknike të muzikës, për të zbuluar të gjitha mundësitë e për të krijuar modele të reja muzikore. Për shembull, mahnitet nga kënga e zogjve: duke e studiuar shkencërisht, arrin ta rikrijojë në muzikë me një saktësi, që i lë pa mend dëgjuesit!Mesajâ e vë çdo krijim e çdo shpikje të tij në shërbim të fesë, deri në fund, në vitin 1992, kur veshët e tij mbyllen përgjithmonë për tingujt e kësaj bote. E gjithë trashëgimia muzikore e kompozitorit të madh, që nga pjesët për Ogano, tek Meshët e veprat për instrumente të tjera (më e famshmja, ajo për pianoforte, i kushtohet Krishtit Fëmijë), flet për Zotin e ka në zemër vetë Zotin.







All the contents on this site are copyrighted ©.