2008-11-20 15:57:33

Manastiret i tregojnë botës thelbësoren: të kërkohet dashuria e Krishtit. Kështu i tha Papa Kongregatës për jetën e shuguruar.


(20.11.2008 RV)RealAudioMP3 Manastiret janë oaze shpirtërore që i tregojnë botës thelbësoren: “Të kërkohet Krishti dhe asgjë të mos vijë përpara dashurisë për Të.” Këtë pohoi sot paradite Papa Benedikti XVI duke pritur pjesëmarrësit e mbledhjes plenare të Kongregatës së Instituteve të jetës së shuguruar dhe të shoqërive të jetës apostolike, kongregatë e cila sivjet feston 100-vjetorin.
Këtë vit mbledhja plenare e dikasterit u përqëndrua rreth temës tepër të dashur për Papën: të qenit murg. Benedikti XVI vuri në dukje rëndësinë e jetës murgare në histori duke nënvizuar qëllimin e saj:
“Të kërkojë Zotin e ta kërkojë nëpërmjet Jezu Krishtit që na e zbuloi (Gjn. 1,18), ta kërkojë duke e ngulur shikimin tek ajo çka është e padukshme dhe e përjetshme (2 Kor. 4,18) në pritje të ardhjes plot lavdi të Shpëtimtarit (Tt 2,13)”
Kështu manastiret bëhen oaze shpirtërore, që i tregojnë njerëzimit parësinë absolute të Zotit përmes adhurimit të vazhdueshëm të “pranisë hyjnore të mistershme, por të vërtetë në botë” në një bashkësi vëllazërore ku jetohet sipas “urdhërimit të ri të dashurisë dhe të shërbimit të ndërsjelltë, duke përgatitur kështu dukjen përfundimtare të bijve të Hyjit:
“Kur murgjërit e jetojnë Ungjillin në mënyrë radikale, kur ata që i janë përkushtuar jetës krejtësisht kundruese ushqejnë në thellësi lidhjen martesore me Krishtin... atëherë të qenit murg përbën për të gjitha format e jetës rregulltare dhe të shuguruar kujtesën e asaj çka është thelbësore dhe që ka përparësi në çdo jetë të pagëzuar: të kërkojë Krishtin e asgjë të mos vijë përpara dashurisë së tij.”







All the contents on this site are copyrighted ©.