2008-11-20 16:10:09

Dukuria e emigracionit në Azi: një “zonë profetike” së cilës Kisha dëshiron t’i shërbejë nëpërmjet mikpritjes.


(20.11.2008 RV)RealAudioMP3 Të zhvillohet një dialog në tri nivele: me emigrantët, me të varfërit dhe me kulturat e ndryshme e me fetë – “për një përkujdesje më të mirë baritore për emigrantët dhe refugjatët e Azisë, në këtë agim të mijëvjeçarit të tretë”. Pikërisht këto qenë titulli dhe synimi i Kongresit të parë Aziatik të Baritorisë për Emigrantët, zhvilluar së fundmi në Bangkok, me nismën e dikasterit papnor, ku morën pjesë kard. Renato Rafaele Martino dhe kryeipeshkvi Agostino Marketo. Po cilat qenë disa nga përfundimet e këtij kongresi?
Rrugët e emigracionit përshkohen çdo vit nga 200 milionë vetë: njerëz që shkojnë në kërkim të një pune, të rinj që shpresojnë për një cilësi më të mirë studimesh, të dëshpëruar që ikin nga dhuna. Është e pamundur për Kishën pra, të mos e marrë parasysh këtë lumë njerëzish, të cilit i duhet kushtuar një vëmendje e re, nëpërmjet solidaritetit dhe baritorisë. Kjo përbën thelbin e dokumentit përfundimtar nënshkruar nga pjesëmarrësit në Kongresin e parë Aziatik të Baritorisë për Emigrantët dhe Endacakët. Nga Kina në Indi, nga Filipinet në Mianmar e në Emiratet Arabe, ipeshkvijtë dhe specialistët e pranishëm në Bangkok, ranë dakord për t’u përballuar me çështjen e emigrimit përmes një dialogu tripalësh: me emigrantët dhe refugjatët; me ata që janë të varfër dhe të braktisur në botën aziatike dhe në fund, me mozaikun e pasur të kulturave, gjuhëve dhe të traditave të lashta fetare të Azisë.
“Nga ana e saj Kisha – thuhet në dokument – ka si detyrë “që të hapë me guxim rrugë të reja për një udhë me shpresa për ata që vuajnë dhe që janë të dëshpëruar. Dhe vetë fakti që emigrantët janë vazhdimisht në gjendje të rrezikshme e rrit përgjegjësinë e Kishës për nxitjen e kulturës së mikpritjes.”- thuhet në këtë dokument.








All the contents on this site are copyrighted ©.