2008-11-19 18:19:30

Papa i fton besimtarët të luten për bashkësitë e krishtera të Azisë, që ta kumtojnë Krishtin në Kontinent


(19.11.2008 RV)RealAudioMP3 Në muajin nëntor, Benedikti XVI u kërkoi besimtarëve të luten për Kishën në Azi. Në mënyrë të posaçme, në ndjetin e lutjes për këtë muaj, theksohet: “Të lutemi që bashkësitë e krishtera të Azisë, duke kundruar fytyrën e Krishtit, të gjejnë rrugët më të përshtatshme për t’ua kumtuar Zotin popullsive të këtij Kontinenti të pafundmë, të pasur me kulturë e me forma të lashta përshpirtërie, me besnikëri të plotë ndaj Ungjillit. Ndjet ky, për të cilin flet, në mikrofonin tonë, misionari i Pimes, atë Piero Gedo, që e njeh nga afër Kontinentin aziatik:


Përgjigje: - Në kontinentet e tjera, si Afrika, Kisha e kumtoi Krishtin në mënyrë krejt të thjeshtë, edhe pse Afrika nuk kishte kultura të lashta të organizuara, nuk kishte religjione të organizuara. Në Azi lind problemi që Krishti të kumtohet duke ecur në një rrugë të veçantë, në mënyrë që njerëzit, të cilët u përkasin kulturave të lashta, të mund ta kuptojnë mirë mesazhin e krishterë. Prandaj dalin një sërë problemesh. E thekson mirë Papa në ndjetin e lutjes: të kumtohet “duke kundruar fytyrën e Krishtit”, sepse fetë aziatike, posaçërisht induizmi, budizmi e edhe sufizmi në fenë islame, kanë si karakteristikë të veçantë kundrimin, misticizmin. Në kumtimin e Ungjillit në Azi, duhet që Kisha të vërë theksin pikërisht mbi kundrimin, mbi lutjen. Deri tani Kisha në Azi i ka kushtuar vëmendje të posaçme veprimtarisë shoqërore për zhvillimin e popullit. Kjo është diçka shumë e mirë, sepse krishtërimi është pikërisht dashuri për tjetrin, është bamirësi për nevojtarin. Por sot Azia ka evoluar e popujt e saj shkojnë kryesisht pas feve, që kanë si karakteristikë botën e mbinatyrshme, kundrimin.







All the contents on this site are copyrighted ©.