2008-11-19 17:57:14

Ansar al-islam i shkruan një ipeshkvi katolik: “Ikni nga Bagdadi, ose do ta pësoni si në Mosul”


(19.11.2008 RV)Do të zhvillohen më 31 janar zgjedhjet administrative në Irak. Kështu lajmëroi dje zëdhënësi qeveritar, Ali Debag. Zgjedhjet, e parashikuara fillimisht për këtë vjeshtë, u shtynë për shkak të vështirësive në miratimin e ligjit elektoral në parlament. Ligji u miratua më në fund më 24 shtator, por pa nenin 50 të normativës së mëparshme, që garantonte praninë e pakicave, si ajo e krishterë e të tjera, duke u dhënë atyre një numër të caktuar vendesh në parlament. Më 3 nëntor, një nen i ngjashëm iu shtua sërish ligjit, por ai garanton vetëm 6 vende për pakicat ndër 440 të mundshmet. Natyrisht, të krishterët protestojnë, pasi kështu u hiqet atyre e vetmja mundësi për të mbrojtur vetveten. Në një gazetë arabe u botua dje edhe një mesazh tjetër kërcënues i Al Kaidës kundër të krishterëve irakianë. Grupi ekstremist Ansar al-islam i shkruan një ipeshkvi: “Ikni nga Bagdadi e nga provincat e tjera, ose do ta pësoni si në Mosul”. Vetëm gjatë muajit të fundit, pikërisht në Mosul janë vrarë 22 të krishterë e rreth 2 mijë familje janë larguar nga zona. “Është paralajmërimi i fundit për kryqtarët”, theksohet në mesazh.
Gjendja në Lindjen e Mesme mbetet e nderë, edhe për shkak të situatës së vështirë ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, krijuar nga refuzimi i Tel Avivit për hapjen e një rruge, ku të kalojnë ndihmat humanitare drejt Gazës, aktualisht nën kontrollin e organizatës fondamentaliste Hamas. Për perspektivat e paqes, pas zgjedhjes së presidentit të ri amerikan, Barak Obama të dëgjojmë atë David Jeger, i Rojtarisë françeskanë të Tokës Shenjte:
Sigurisht në Lindjen e Mesme presin shumë, presin një iniciativë të fortë e të bindur për t’i mbledhur të gjitha palët rreth tryezës së bisedimeve e për t’i çuar drejt nënshkrimit të traktateve të paqes. Arsyeja do të parashikonte një paqe të bashkërenduar nga ana e Izraelit me të gjithë partnerët e tij zonalë. Jo më larg se pardje, kreu i inteligjencës ushtarake izraelite përsëriti vlerësimin se Siria është gati dhe dëshiron të ketë paqe me Izraelin. Nëse Siria është në paqe me Izraelin, do të jetë shumë më e lehtë edhe paqja izraelito-palestineze, sepse do të mungojë kërcënimi i mbështetjes siriane për opozitën palestineze, për organizatat e armatosura, të cilat përndryshe do të pengonin çdo përpjekje për paqen.







All the contents on this site are copyrighted ©.