2008-11-18 15:00:09

Vietnam: një tjetër sulm kundër famullisë kishtare të Thai Ha.


(18.11.2008 R.V.)Ka ngjallur shumë pikëpyetje sulmi i mbrëmjes i së shtunës së kaluar organizuar nga disa aktivistë të Partisë komuniste vietnameze kundër kapelës së Shën Gerardit, që ndodhet në brendësi të territorit të famullisë së Thai Ha në Hanoi. I ngjashëm me atë që u krye me 21 shtator kundër të të njëjtit objektiv, në sulm, sipas agjencisë AsiaNjuz, merrte pjesë edhe një delegat i Komitetit të popullit të zonës Kuang Trung, ndërsa forcat policore dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë bënin sehir gjatë plaçkitjes së kapelës. Kisha e vogël nuk u dëmtua, vetëm falë ndërhyrjes së besimtarëve të Thai Ha dhe të famullive të tjera kishtare.
“Eglizë d’Azi” bëri të ditur se banorët e lagjes treguan se atë pasdite, ndërsa në Kishë kremtohej festa e martirëve vietnamezë, të rinjtë komunistë ishin mbledhur në selitë e tyre për të organizuar sulmin. E njëjta gjë po bëhej edhe në zyrën e të plotfuqishmit të lagjes. Atë Mathju Vu Koi Fung, epror i kuvendit ku gjendet Kisha e vogël, i dërgoi Komitetit të popullit të Hanoit, policisë dhe qarkut të Dong Da-së, një letër ku denoncohet sa ndodhi. Por ajo që shqetëson besimtarët është shkaku i sulmit, i cili ndodhi mbasi që ishte refuzuar nga ana e autoriteteve, kërkesa e Etërve Redemptoristë për rikthimin e truallit të famullisë.
Flitet për një hakmarrje, mbasi toka që i ishte dhënë një ndërmarrjeje veshmbathjesh është shndërruar në park publik, por besimtarët kanë frikë edhe nga sulme të mëtejshme kundër kuvendit, famullisë dhe kapelës.







All the contents on this site are copyrighted ©.