2008-11-18 16:37:55

Paradokset e krizës ekonomike botërore e të politikës shqiptare


(18.11.2008 RV)Fondi Monetar Ndërkombëtar shpreh frikën e tij për gjendjen ekonomike të Shqipërisë, në një situatë kur vërtet vendi është më mbrapa në krahasim me ato të përparuarat, por kjo nuk mund dhe nuk do ta mbrojë atë nga efektet e krizës financiare botërore. Të nesërmen e lajmërimit zyrtar se mandati i Fondit përfundon në janar 2009 dhe se deri tani, qeveria e Tiranës nuk i ka kërkuar të qëndrojë pas 14 vjet asistence të vazhdueshme, ekspertët e organizmit ndërkombëtar pohojnë se rritja ekonomike e Shqipërisë do të pësojë një rënie, duke filluar nga viti i ardhshëm. Pritet një ridimensionim i eksportit dhe i parave që emigrantët çojnë në familjet e tyre. Gjithashtu, përballë shpalljeve për uljen e taksave, shihet qartë edhe dëshira për një manovër që të sigurojë hyrjen e të ardhurave në buxhetin shtetëror, përmes rrugëve të tjera.
Deri tani, Fondi Monetar Ndërkombëtar ushtronte një funksion kontrolli dhe adresimi, gjë që nuk i pëlqen më qeverisë së Tiranës, e cila ka vendosur se Shqipëria ka dalë nga statusi i vendit të varfër, ekonomia është stabilizuar, e prandaj nuk ka më nevojë për asistencë të vazhduar. Fondi mund të jetë i pranishëm, por me funksione të tjera, si këshilltar për projekte të veçanta, por jo si më parë. Gjithsesi, negociatat për këtë lloj bashkëpunimi nuk do të fillojnë para përfundimit të zgjedhjeve, në pranverën e vitit të ardhshëm.
Tundimi është që të mos respektohen standartet e imponuara deri tani dhe gjendja të kthehet në kohën e Kongreseve të Partisë së Punës, kur planet realizoheshin e tejkaloheshin vetëm në letër. Por politikanët shqiptarë duhet të kenë parasysh se kjo është e njëjta sjellje, që ka shkaktuar krizën botërore ekonomike të sotme, së cilës akoma nuk i shihet fundi e madje, ekonomistët paralajmërojnë se do të bëhet edhe më keq.
Etja për fitime më të mëdha i çoi bankat të pranojnë garanci të pamjaftueshme për dhënien e kredive e tani, institutet financiare kanë vërtet në duar shtëpitë e blerësve, por ato nuk shiten veçse me çmime jashtëzakonisht më të ulta se shuma që u duhet për të përballuar humbjet. Baza shkatërrimtare e kësaj krize është pa dyshim “gënjeshtra”, sido që të përkthehet ajo në gjuhën financiare. Rritja ekonomike e së kaluarës ka qenë e rreme. E zgjidhja nuk duket.
Për paradoks, ekonomistët i shtyjnë njerëzit të vazhdojnë të blejnë, pra të vazhdojnë ta ushqejnë konsumin, pa të cilin ekonomia nuk shkon përpara. Por është pikërisht konsumi pa fund, krijimi i dëshirës për të pasur edhe gjëra që nuk hyjnë në punë, që e ka larguar ekonominë nga prodhimi i të mirave materiale, duke e kufizuar fitimin në sferën e qarkullimit e të shërbimeve. Nga ana tjetër, nëse do të bëhet më keq, natyrisht njerëzit duhet të kursejnë për të përballuar një gjendje të ardhme më të vështirë. Liderët botërorë u mblodhën javën e kaluar edhe për të diskutuar mbi këto lloj paradoksesh. Ndihet nevoja e rregullave të reja, e krijimit të institucioneve të reja financiare, e një kapitalizmi jo aq agresiv, sa të shkatërrojë vetveten. Një rol të rëndësishëm në këtë kuadër, thanë të shtunën krerët e G20-ës, do të luajë Fondi Monetar Ndërkombëtar, të cilit, sipas presidentit rus Medvedev, i duhen siguruar të gjitha investimet e nevojshme. Pikërisht në kohën, kur Shqipëria i kthen krahët. Tempizmi është si gjithnjë, një element i fuqishëm i paradokseve shqiptare.








All the contents on this site are copyrighted ©.