2008-11-18 13:25:43

Kushtimi i Bazilikave të Shën Pjetrit e të Shën Palit, Apostuj.


(18.11.2008 RV)Princat e Apostujve, Pjetri e Pali, kremtohen gjithnjë së bashku nga liturgjia romake. Dy bazilikat, trofe e martirizimit të tyre, u ngritën pikërisht atje ku Pjetri e Pali derdhën gjakun për Krishtin e ku edhe u varrosën. Cak shtegtimesh të vazhdueshme në rrjedhë shekujsh, janë simbol i bashkimit dhe i karakterit apostolik të Kishës së Romës.
Në Martiriologun Romak, për bazilikën e Shën Pjetrit, shkruhet: “Kjo bazilikë, e ndërtuar nga perandori Kostandin mbi kodrën e Vatikanit përmbi varrin e Shën Pjetrit, e dëmtuar rëndë nga koha dhe e rindërtuar në formë më të zgjeruar, u shugurua përsëri më 18 nëntor. Tjera, në rrugën Ostiense, e ndërtuar nga perandorët Teodosi e Valentiniani e pastaj e shkatërruar nga një zjarr i tmerrshëm, u rindërtua përsëri e u kushtua më 10 dhjetor. Me përkujtimin e tyre të përbashkët, shprehet simbolikisht vëllazërimi ndërmjet dy Apostujve dhe uniteti i Kishës.
Ky përkujtim i kushtimit të bazilikave të Apostujve është një rast i ri, i katërti gjatë vitit, që na nxit të reflektojmë për figurat e për veprat e dy Princave të Apostujve e edhe për kultin e jashtëzakonshëm që gëzojnë që prej dymijë vjetësh ndërmjet besimtarëve.
Posaçërisht Bazilika e Shën Pjetrit është në qendër të vëmendjes së kronikës, për shkak të kremtimeve papnore, që mbahen shumë shpesh brenda mureve të saj ose në Sheshin para saj.
Ndërsa të gjithë e kanë në sy e në zemër pamjen e 2. 500 Etërve të Koncilit II të Vatikanit, Koncil i cili u shpall nga Papa Gjoni XXIII pikërisht nga bazilika e Shën Palit jashtë Mureve të Romës. E po kjo bazilikë vijon të jetë këtë vit në zemrën e popujve, si qendër e kremtimeve me rastin e dymijëvjetorit të ditëlindjes së Shën Palit, hapur nga Papa Benedikti XVI më 28. 06. 2008. Në fillim të kremtimit, Ati i Shenjtë dhe Patriku Ekumenik, Bartolomeu I, i prinë procesionit, që përshkoi Bazilikën madhështore, për të arritur tek shtatorja e Shën Palit, ku Papa ndezi qiriun e madh të Solemnitetit e, më pas filloi, kremtimin e Mbrëmësoreve, duke i përshëndetur përfaqësuesit e Kishave e të Bashkësive kishtare të Lindjes e të Perëndimit dhe shtegtarët e shumtë, ardhur me këtë rast nga Roma e nga Bota, me fjalët:

“Hiri e paqja e Hyjit, Atit tonë,
dhe e Zotit tonë Jezu Krishtit,
qofshin me ju të gjithë!”.

Me këto fjalë të Shën Palit – vijoi Ati i Shenjtë – i drejtohem në mënyrë të posaçme
Vëllaut të shumëdashur, Bartolomeut I,
që sjell mes nesh praninë
e bashkësive të lashta të krishtera,
të themeluara e të ungjillëzuara nga Shën Pali.
E kapërcyem së bashku ‘Portën paoline’
të kësaj bazilike zëmadhe të Shën Palit në rrugën Ostiense,
për t’i hapur udhën varganit të gjatë të shtegtarëve që,
këtu e në vise të tjera të botës, do të përkujtojnë
dymijëvjetorin e lindjes
së Apostullit të madh të Popujve, Palit të Tarsit.

 
Drita e Ungjillit dhe e fesë që përhapi
me fjalën e me letrat e tij
nga Qyteti i Shenjtë i Jeruzalemit
deri në kufijtë e Perandorisë Romake,
arriti deri tek ne e vijon të japë fryte.

 
Me lutjen e Mbrëmësoreve bashkohemi me gjithë Kishën
që, në Apostujt Pjetër e Pal
kremton e njeh dëshmitarët e parë të ngjalljes së Krishtit,
gurët e themelit të popullit të Hyjit,
të cilët vijojnë shtegtimin në udhët e botës e të historisë.

 
Të nesërmen, më 29 qershor 2008 gjatë Meshës në bazilikën e Shën Pjetrit për festën e Pajtorëve të Romës, Benedikti XVI, së bashku me Bartolomeun I, rikujtuan me frymë ekumenizmi, dymijëvjetorin e lindjes së Shën Palit.







All the contents on this site are copyrighted ©.