2008-11-18 14:59:42

Impenjimi i ipeshkvijve të Libanit për paqen dhe pajtimin kombëtar


(18.11.2008 R.V.)Bejruti të kthehet në një qendër botërore për dialogun ndërmjet kulturave. Plani ambicioz i presidentit libanez Mishel Sulejman, - që iu propozua OKB-së gjatë konferencës për dialogun ndërmjet feve dhe qytetërimeve, - u përqafua edhe nga Kisha libaneze. Siç lexohet në deklaratën përfundimtare të asamblesë së 42-të të patrikëve dhe ipeshkvijve katolikë të Libanit që u mbyll dje, prelatët mbështesin përforcimin e institucioneve të vendit si edhe fillimin e pajtimit kombëtar duke bërë thirrje për falje dhe kapërcimin e përçarjeve që shkaktuan 30 vjet gjakderdhje.
Ipeshkvijtë katolikë libanez, duke folur gjithnjë për situatën në vend, shprehën shqetësimin e tyre për krizën ekonomike që ka mbërthyer Libanin dhe për emigrimin gjithnjë në rritje të të rinjve si pasojë e papunësisë që ka arritur nivele të larta. Më tej në deklaratë nënvizohen vuajtjet e popullit libanez, i cili me gjithë problemet që ka, po strehon me mijëra e mijëra refugjatë.
Deklarata e ipeshkvijve të Libanit vijon me një thirrje të fortë drejtuar Lidhjes Arabe dhe Bashkësisë Ndërkombëtare që të punojnë për mbrojtjen e të drejtave themelore të të krishterëve në Irak, që janë detyruar të braktisin vatrat familjare e të kërkojnë strehë në vendet fqinje si Siria, Jordania e Libani.
Thirrje i bëhet edhe popullit libanez që të mikpresë e të ndihmojë vëllezërit e tij irakianë sipas traditës historike të Libanit, një vend ku kanë gjetur strehë të gjitha popullsitë e persekutuara të Lindjes së Mesme.
Në fund të punimeve të asamblesë së ipeshkvijve të Libanit u bë edhe vlerësimi i punës së Komisioneve të ndryshme ipeshkvnore dhe institucioneve katolike gjatë katër viteve të fundit për të filluar kështu edhe riorganizimin e tyre në nivel organizativ dhe baritor.







All the contents on this site are copyrighted ©.