2008-11-17 18:13:34

‘Maranà thà’- Eja, Zot Jezus, rinoje botën!


(12.11.2008 RV)Të dashur vëllezër e motra,

tema e ringjalljes, tek e cila u ndaluam javën e kaluar, hap një perspektivë të re, atë të pritjes së kthimit të Zotit, e prandaj na nxit të reflektojmë për lidhjen ndërmjet kohës së tashme, kohës së Kishës e të Mbretërisë së Krishtit, e së ardhmes (éschaton) që na pret, kur Krishti do t’ia dorëzojë Mbretërinë Hyjit Atë. (cfr 1 Kor 15,24). Çdo ligjëratë e krishterë për mbarimin, që quhet eskatologji, niset gjithnjë nga ringjallja: në këtë ngjarje mbarimi ka filluar tashmë e, në një farë mënyre, është edhe i pranishëm.

Ka shumë mundësi që Shën Pali ta ketë shkruar në vitin 52 letrën e tij të parë, Letrën e parë drejtuar Selanikasve, ku flet pikërisht për këtë kthim të Jezusit, të quajtur parusia, ardhja, prania e re, përfundimtare dhe e dukshme (cfr 4, 13-18). Selanikase, që kanë dyshimet e tyre e problemet e tyre, Apostulli u shkruan kështu: “Në se përnjëmend besojmë se Krishti vdiq e u ngjall, po ashtu duhet të besojmë edhe se Hyji, për hir të Jezusit, do t’i marrë me vete ata, të cilët vdesin. (4, 14). E vijon: “Së pari do të ngjallen ata që dhanë shpirt në Krishtin. Ne, pastaj, të gjallët, që më atë çast do të jemi në jetë, do të bashkohemi me ta e, të mbartur nga retë, do t’i dalim para Krishtit në qiell e kështu do të rrimë në amshim me Zotin (4,16-17). Pali e përshkruan parusinë e Krishtit me gjallëri të madhe e me figuura simbolike, që përcjellin një mesazh të thjeshtë e të thellë: në fund do të jemi me Zotin. Ky është, përtej figurave, mesazhi themelor: ardhmëria jonë është ‘të jemi në Zotin’; si besimtarë, ne jemi me Zotin që në jetë; ardhmëria jonë, jeta e pasosur, tashmë ka filluar.

Letrën e dytë drejtuar Selanikasve, Pali ndryshon pamjen: flet për ngjarjet e hidhura, që duhet t’i paraprijnë mbarimit. Nuk duhet të gënjehemi - thotë - sikur dita e Zotit të ishte e shpejtë, sipas llogaritjeve kronologjike: “Përsá i përket ardhjes së Zotit tonë Jezu Krishtit e bashkimit tonë me të, ju lutemi, vëllezër, mos ndërroni mendim menjëherë, mos u frikësoni as para frymëzimeve gjoja të Shpirtit, fryt i fantazisë suej, as prej fjalëve që dëgjohen e as deri prej ndonjë letre, e cila mund t’ju bjerë në dorë si të ishte jona, gati sikur dita e gjyqit të Zotit të ishte e shpejtë. Mos t’ju gënjejë kush në asnjë mënyrë!” (2,1-3). Vijimi i këtij teksti kumton se përpara do të vijë largimi prej fesë e do të zbulohet njeriu i mëkatit, biri i dënimit, ende i paidentifikuar mirë, të cilin tradita do ta quajë Antikrishti. Por kjo Letër e Shën Palit ka sidomos qëllim praktik; ai shkruan: “Në të vërtetë, kur ne ishim mes jush, ju dhamë ketë porosí: kush s’do të punojë, nuk duhet as të hajë. E njëmend, po dëgjojmë se disa nga ju jetojnë pa kurrfarë rregulle, pa bërë gjë prej gjëje e gjithnjë në përtaci. Këta soj njerëzish i urdhërojmë, duke i qortuar në Zotin tonë Jezu Krishtin, ta hanë bukën e gojës duke punuar në paqe”. (3,10-12). Me fjalë të tjera, pritja e parusisë të Jezusit nuk na shkëput nga impenjimi në këtë botë, përkundrazi, krijon përgjegjësinë para Gjykatësit hyjnor lidhur me veprimin tonë në këtë botë. E pikërisht në këtë mënyrë rritet përgjegjësia jonë për të punuar e për këtë botë. Të njëjtën gjë do ta shohim të dielën e ardhshme në Ungjillin e talenteve, në të cilin Zoti na kujton se ua ka besuar talentet të gjithëve e Gjykatësi do të na kërkojë llogari për ta, duke na thënë: “A sollët fryte?”. Prandaj mund të themi se pritja e kthimit të Zotit na ngarkon me përgjegjësi për këtë botë.

E njëjta gjë dhe e njëjta lidhje ndërmjet parusisë - rikthimit të Gjykatësit/ Shëlbues - dhe impenjimit tonë në jetë, duket në një rrethanë tjetër e me aspekte të tjera në Letrën drejtuar Filipianëve. Pali, që është në burg, pret vendimin, që mund të jetë dënim me vdekje. Në këtë gjendje mendon se në të ardhmen do të jetë me Zotin, por mendon edhe për bashkësinë e Filipit, që ka nevojë për atin e vet, për Palin, e shkruan: “Në të vërtetë, për mua të jetoj është Krishti e të vdesësh është fitim. Por në se të jetosh me trup, domethënë të kesh mundësi për të punuar me fryt në dobi të të tjerëve, atëhere përnjëmend unë nuk di çka duhet të zgjedh. E njëmend, gjindem ngusht ndërmjet këtyre dy mundësive: më njërën anë dëshiroj të çlirohem prej trupit, që të jem me Krishtin, çka do të ishte fort më mirë; në tjetrën anë është e nevojshme për ju, që unë të vazhdoj të rri në trup. Përsa më përket mua, jam i bindur se do të mbetem me ju e do të vazhdoj të jem për ndihmë të të gjithëve, për përparim e gëzim të fesë suaj, kështu që, me ardhjen time rishtas ndër ju, krenaria juaj ndaj meje të shtohet përherë e më tepër në Krishtin”(1, 21.26). Pali nuk ka frikë nga vdekja, përkundrazi: përmes saj ai do të ishte plotësisht me Krishtin. Por Pali merr pjesë edhe në ndjenjat e Krishtit, i cili nuk jetoi vetëm për vete, por për ne. Të jetojë për të tjerët kthehet në program të jetës së tij e prandaj është gati të bëjë deri në fund vullnetin e Zotit, atij Zoti, që do të vendosë. Është i gatshëm, sidomos, edhe në të ardhmen, të jetojë mbi këtë tokë për të tjerët, të jetojë për Krishtin, të jetojë për praninë e tij të gjallë e kështu, për përtëritjen e botës. E ne e shikojmë se qenia me Krishtin i krijon një liri të madhe shpirtërore: liri përballë kërcënimit të vdekjes, por edhe liri përballë të gjitha detyrave e vuajtjeve të jetës. Është i gatshëm për Hyjin e me të vërtetë i lirë.

E pasi shqyrtuam aspekte të ndryshme të pritjes së parusisë së Krishtit, mund të pyesim: ç’qëndrim duhet të mbajë i krishteri përballë realiteteve të fundme: vdekjes, mbarimit të botës? Së pari, duhet të jetë i sigurtë se Krishti është ngjallur, është me Atin, e pikërisht kështu është me ne, përgjithmonë. E askush nuk është më i fortë se Krishti, sepse Ai është me Atin, është me ne. Jemi, prandaj, të sigurtë, të çliruar nga frika. Kjo ishte pasojë themelore i predikimit të krishterë. Frika nga shpirtërat, nga hyjnitë, ishte shumë e përhapur në mbarë botën e lashtë. E edhe sot misionarët, së bashku me shumë elemente të mira të besimeve natyrore, gjejnë frikën nga shpirtërat, nga fuqitë ogurzeza që na kërcënojnë. Krishti jeton, ka fituar mbi vdekjen e mbi të gjitha këto fuqi. Në këtë siguri, në këtë liri, në këtë gëzim jetojmë. Ky është aspekti i parë i të jetuarit tonë lidhur me të ardhmen.

Në radhë të dytë, siguria se Krishti është me mua. E se në Krishtin bota e ardhme tashmë ka filluar. Kjo na jep edhe sigurinë e shpresës. Ardhmëria nuk është terrinë, në të cilën askush nuk e di nga t’ia mbajë. Nuk është kështu. Pa Krishtin, edhe sot për botën ardhmëria është e errët, shikohet me shumë frikë. I krishteri e di se drita e Krishtit është më e fortë, e prandaj shpresa mbi të cilën e mbështet jetën e tij, nuk është e vagëlluar; është shpresë që i jep siguri e guxim për të përballuar të ardhmen.

Pastaj, qëndrimi i tretë. Gjykatësi që kthehet – gjykatës e shëlbues njëherit – na la detyrën të jetojmë në këtë botë sipas mënyrës së Tij të jetesës. Na dorëzoi talentet e Tij. Prandaj qëndrimi ynë i tretë është: përgjegësi për botën, për vëllezërit përpara Krishtit, e njëkohësisht edhe siguri në mëshirën e Tij. Të dyja këto sende janë të rëndësishme. Ne jetojmë sikur e mira dhe keqja të ishin të njëllojta, sepse Zoti mund të jetë vetëm i mëshirshëm. Kjo është e gabuar. Në të vërtetë jetojmë të ngarkuar me përgjegjësi të madhe. Kemi talentet, jemi ngarkuar të punojmë, që kjo botë t’ia hapë zemrën Krishtit, të rinohet. Por edhe duke punuar e duke e ditur, në përgjegjësinë tonë, se Zoti është gjykatës i vërtetë, kemi edhe sigurinë se ky gjykatës është i mirë, e njohim fytyrën e tij, fytyrën e Krishtit të ngjallur, të Krishtit të kryqëzuar për ne. Prandaj mund të jemi të sigurtë në mirësinë e Tij e të ecim përpara me guxim të madh.

Një mësim tjetër i Shën Palit lidhur me eskatologjinë është ai i universalitetit të thirrjes në fe, që bashkon Judenjtë e Gjentilët, domethënë paganët, si shenjë e përshpejtimit të realietit të ardhshëm, për të cilin mund të themi se ne tashmë rrimë në qiell me Jezu Krishtin, për të dëshmuar në shekujt e ardhshëm pasurinë e hirit (cfr Ef. 2,6s): ajo që duhet të vinte pas kthehet në përpara, për ta bërë të dukshëm gjendjen e realizimit fillestar në të cilën jetojmë. Domethënë për t’i bërë të durueshme vuajtjet e tanishme, të cilat nuk janë të denja të krahasohen me lumturinë e ardhshme, që do të zbulohet në ne” (cfr Rom 8,18). Ecet në fe, jo në vegim, e edhe në se do të ishte e pëlqyeshme ta lëshonim trupin tonë e të banonim pranë Zotit, ajo që ka rëndësi, në fund të fundit, duke qëndruar në trup ose duke e lëshuar atë, është që t’i pëlqejmë Atij ( cfr 2 Kor 5,7-9).

 
Së fundi, një pikë tjetër, që ndoshta na duket disi e vështirë. Shën Pali, në përfundim të Letrës së tij drejtuar Korintianëve përsërit e vë edhe në gojë të korintianëve një lutje të bashkësive të para të zonës palestineze: Maranà thà! që fjalë për fjalë do të thotë: “O Zoti ynë, Eja” (16,22). Ishte lutja e krishterimit të parë, e edhe Libri i fundit i Besëlidhjes së Re, Zbulesa, mbyllet me këtë lutje: “O Zot, eja!”. A mund të lutemi edhe ne kështu? Më duket se sot, në jetën tonë e në botën tonë, është vështirë të lutemi që të vijë fundi i kësaj bote, të vijë Jeruzalemi i ri, të vijë gjyqi i fundit e gjykatësi, Krishti. E mendoj sinqerisht: në qoftë se nuk e marrim guximin të lutemi kështu për disa arsye, gjithsesi, në mënyrë të drejtë e korrekte edhe ne mund të lutemi, ashtu si të krishterët e parë, e të themi: “Eja, Jezus!”, gjë që nuk do të thotë se duam të vijë tani fundi i botës, por se duam të marrë fund kjo botë e padrejtë. Duam të ndryshojë në themel e, të fillojë qytetërimi i dashurisë, të jetojmë në një botë, në të cilën të mbretërojë drejtësia e paqja, pa dhunë e pa uri. Këtë dëshirojmë. Po si mund të arrihet e gjithë kjo, pa praninë e Krishtit? Pa praninë e Zotit nuk mund të kemi kurrë një botë të re e të drejtë prandaj, në rrethanat e kohës sonë, edhe ne duhet të themi, e me urgjencë të madhe: Eja, Zot! Eja në mënyrën tënde, në mënyrat që di Ti. Eja atje ku ka padrejtësi e dhunë. Eja në kampet e refugjatëve në Darfur, në Veri të Kivusë e në vise të tjera të botës. Eja atje ku sundon droga. Eja edhe ndërmjet të pasurve, që të kanë harruar, që jetojnë vetëm për vetveten. Eja atje ku je fare i panjohur. Eja në botë e rinoje botën e sotme. Eja edhe në zemrat tona! Përtërije jetën tonë. Eja në shpirtin tonë, që ne të bëhemi drita e Zotit, prania jote. Në këtë kuptim lutemi me Shën Palin ‘Maranà thà’, “Eja Zot Jezus”, e lutemi me gjithë zemër që Krishti të jetë vërtetë i pranishëm sot e ta rinojë botën tonë!







All the contents on this site are copyrighted ©.