2008-11-17 16:36:21

Topi i Shqipërisë: Kombi shqiptar, me dy fe e katër komunitete të ndryshme fetare i jep botës shembullin e harmonisë e bashkëjetesës.


(17.11.2008 R.V.)Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi prej dy ditësh ndodhet në kryeqytetin e Qipros, Nikosia, ku po merr pjesë në takimin ndërkombëtar ‘Njerëzit e Fetë’, organizuar nga Komuniteti Kishtar i Shën Egjidit në bashkëpunim me Kishën e Qipros mbi temën.
Në fjalën e tij të mbajtur sot paradite, Presidenti Topi foli për shembullin e Shqipërisë ku bashkëjetojnë dy fe dhe katër komunitete të ndryshme fetare, për të mbrojtur idenë se përplasja e qytetërimeve është një abuzim intelektual, që serviret për të fshehur interesa të grupeve ose qarqeve të caktuara politiko-ushtarake.
"Ne e ofrojmë këtë realitet pozitiv, si shembull për të pasuruar përvojën dhe përpjekjet tona të përbashkëta për tolerancë dhe mirëkuptim, për modesti e mençuri në raportet midis besimeve, element i rëndësishëm i qytetërimit", tha Topi e vuri në pah "vizionin shqiptar liberal ndaj besimit që plotësohet me shpirtin mikpritës e tolerant për të pranuar tjetrin, me identitetin e tij dhe pa paragjykime". Në fjalën e tij Presidenti Topi përmendi bashkëjetesën e feve në Shqipëri duke thënë se Shqipëria i jep botës shembullin e rrallë të harmonisë, dialogut, paqes e bashkëjetesës ndërfetare, pikërisht në mes të hapësirës gjeografiko-politike ballkanike, e njohur për grindje, luftëra e urrejtje, deri kohët e fundit, përfundoi fjalën e tij kreu i shtetit të Shqipërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.