2008-11-17 16:41:37

Shkolla e Selitës në Tiranë merr emrin "At Zef Pllumi".


(17. 11. 2008 RV)Pagëzohet shkolla me e re në kryeqytet, me emrin e shkrimtarit dhe meshtarit françeskan, të shquar edhe në letrat shqipe "At Zef Pllumi". Me një fond prej më shumë se 1 milion euro, Bashkia e Tiranës bëri të mundur ndërtimin e kësaj shkolle krejtësisht të re, në zonën pranë Kopshtit Botanik. Kjo, me qëllim që të krijohen kushteve sa më optimale si dhe për t'u ardhur në ndihmë fëmijëve të kryeqytetit, por edhe rrethinave të tij, në zhvillimin e procesit mësimor. Ndërtimi i saj u bë i mundur, falë një kredie të Bankës së Këshillit të Evropës. Kryetari i Bashkisë, Edi Rama, në ceremoninë e inaugurimit të kësaj shkolle, theksoi rëndësinë e kësaj figure të shquar, ndërkohe që studiuesi Ardian Klosi i sqaroi nxënësit mbi vlerat e mëdha të personalitetit të At Zef Pllumit. "Jemi krenarë që një shkollë e këtij qyteti mban emrin e Atë Zefit, i cili pa asnjë dyshim, duke qenë edhe një njeri i besimit do të ndikojë pozitivisht tek ju të gjithë dhe do të jetë për ju një kujtim i mrekullueshëm", iu drejtua Rama nxënësve. Shkolla më e re "At Zef Pllumi", shtrihet në krahun perëndimor të rrugës "Komuna e Parisit" dhe përfshihet në Njësinë Bashkiake Nr 5. Kjo shkollë e ndërtuar plotësisht sipas parametrave bashkëkohore është një godinë 4 katëshe, në të cilën tashmë janë akomoduar rreth 650 nxënës (ndonëse kapaciteti i saj është për 900), të cilët do të zhvillojnë ciklin 9-vjecar. Shkolla është e pajisur me të gjithë infrastrukturën e nevojshme, për një zhvillim normal të procesit mësimor.







All the contents on this site are copyrighted ©.