2008-11-17 18:28:00

G20-a dhe zgjidhjet per krizën botërore. Me ne, prof. Rikardo Moro


(17.11.2008 RV)RealAudioMP3 Mbledhja e G20-ës, që përfundoi të shtunën në Uashington, parashikon një plan të përbashkët të të mëdhenjve të botës e të vendeve emergjente për të përballuar krizën ekonomike-financiare ndërkombëtare.
Por, a është i mundur një rend i ri i ekonomisë globale? Cilat janë mjetet për të arritur tek ai? Bashkëpunimi ndërkombëtar për të vendosur rregulla në politikën ekonomike dhe financiare, a mund të jetë rruga e drejtë? Këtyre pyetjeve iu përgjigj mbledhja, që u përpoq të gjejë mënyra për të përballuar krizën aktuale ekonomike botërore, por që përfundoi në thelb, me nje shtyrje për më vonë, me një mbledhje tjetër në prill të vitit të ardhshëm, kur presidenti i ri amerikan, Barak Obama të ketë marrë në duar pushtetin.
Vlera e vërtetë e G20-ës përmblidhet në fotografinë, që duket në deklaratën përfundimtare. Përveç fytyrave të zakonshme amerikane, evropiane, apo japoneze, bie në sy takija e mbretit Abdullah të Arabisë Saudite, çallma e kryeministrit indian dhe lëkura e zezë e presidentit jugafrikan. Një front i përbashkët kundër krizës aktuale, që nuk mund të lerë mënjanë vendet emergjente. Të dëgjojmë prof. Rikardo Moron, ekonomist dhe drejtor i Fondacionit “Drejtësi e solidaritet” për Konferencën Ipeshkvnore Italiane:
Një front i përbashkët ekzistonte që më parë: e shohin të gjithë nevojën e një aksioni të bashkërenduar dhe krerët e të gjitha vendeve kanë folur edhe më parë gjatë këtyre muajve. Mbledhja në vetvete shton diçka të re, por nuk e ndryshon perspektivën: do të thosha se nuk shton elemente kushedi sa të reja, sidomos për faktin themelor se u kryesua nga një president i SHBA-ve, që pas një muaji e gjysëm nuk do të ketë asnjë rol.
Vendimet e të mëdhenjve të botës a mund ta zgjidhin me të vërtetë krizën financiare botërore?
Më duket se është një hap para në një rrugë të domosdoshme: nga njëra anë, është një hap që duhej bërë, por që nuk është aspak i mjaftueshëm. Nuk mund të zgjidhet një krizë e këtij lloji e sistemit vetëm me një mbledhje. U miratua një dokument shumë i gjatë, shumë i detajuar, i cili dukej qartë se ishte përpiluar më parë e nuk mund të ishte fryt i një dite pune. Gjithsesi, nuk mund të përmbledhë të gjitha përmasat e ndërlikuara të çështjeve. Kemi përpara disa etapa. E para do të hapet pas 10 ditësh në Doha, me Konferencën ndërkombëtare mbi financimin e zhvillimit. Ka edhe seli të tjera, në të cilat duhen përballuar çështjet e vendosjes së rregullave në tregjet financiare.
“Jo” proteksionizmit, por nga ana tjetër, i hapet rruga një financimi të jashtëzakonshëm publik për të evituar kthimin mbrapa të ekonomisë. Si i vlerësoni këto dy linja të G20-ës për të dalë nga kriza?
Në të vërtetë, do të thosha se kemi tri linja, në kuptimin se batuta për të vendosur veton kundër një iniciative tepër proteksioniste ekziston dhe është ndoshta bijë e një shqetësimi sidomos britanik para disa lajmeve që dolën nga administrata amerikane, për një financim të mundshëm të industrisë automobilistike. Por më duket se dy elementet më të rëndësishme janë, nga njëra anë, autorizimi i financimeve publike masive në krahasim me stilin e viteve të fundit e, nga ana tjetër, qëllimi i qartë për të përballuar çështjen e vendosjes së rregullave për tregjet: si përmes përkufizimit të rregullave, ashtu edhe përmes forcimit të punës për përkufizimin e standarteve kontabël.
Kjo krizë vuri në dukje peshën e ekonomive në zhvillim. Nuk do të kemi më takime me më pak se 20 pjesëmarrës?
Sigurisht, roli i G20-ës po zvogëlon në këtë moment, rolin e G8-ës. Por, edhe G20-a nuk është e mjaftueshme. Ne kemi nevojë t’u japim rëndësi selive shumëpalëshe të vërteta e të plota, siç janë Kombet e Bashkuara, apo Konferencat ndërkombëtare që ato mbledhin.







All the contents on this site are copyrighted ©.