2008-11-17 18:00:36

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot: të mbrohen dhuratat e Krishtit, pa paragjykime e plogështi.


(17.11.2008 RV)RealAudioMP3 Shembëlltyra e ‘talenteve’ i mëson të krishterët të jenë aktivë e të shkathët në misionin për t’ia dëshmuar botës dhuratat e Hyjit, pa i varrosur nën paragjykimet, që i paralizojnë fenë dhe veprat.
Ky është reflektimi i Benediktit XVI në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa kujtoi edhe fillimin e Kohës së Ardhjes, që nisi dje në dioqezën e Milanos ku, gjithnjë dje, hyri në fuqi edhe Leksionari i ri Ambrozian, të cilin Benedikti XVI e përshëndeti si shenjë të fjalës së Hyjit, që shpëton.
Në të dielën e parafundit të Kohës së zakonshme, para fillimit të Kohës së Ardhjes, Ungjilli na paraqet Jezusin, që u tregon nxënësve të tij një nga shembëlltyrat më të njohura: atë të ‘talenteve’. Monedhë romake me vlerë të madhe, në gjuhën e përditshme talenti bëhet sinonim me dhantitë personale, që secili nga ne duhet t’i përdorë me fryt. Por këtu nuk është fjala thjeshtë për ‘të nxjerrë në treg’ një cilësi natyrore. Jezusi – pohoi Benedikti XVI - i jep talentit një domethënie shumë më të gjërë, duke kuptuar me të ato pasuri, që na i la trashëgim: Ungjillin, Pagëzimin, Atynën, Eukaristinë, ndjesën e tij. Me një fjalë – shtoi Papa - thesari që Jezusi ua besoi miqve të Tij, është ai vetë, Mbretëria e Hyjit e realizuar:

“Shembëlltyra e sotme ngul këmbë tek qëndrimi shpirtëror me të cilin duhet pritur e vlerësuar kjo dhuratë. Qëndrim i gabuar është ai i frikës: shërbëtori që ka frikë nga zotëria e i druhet kthimit të tij, e fsheh monedhën nën dhe e ajo nuk jep kurrfarë fryti. Kjo i ndodh, për shembull, atij që, pasi ka marrë Pagëzimin, Kungimin, Krezmimin, i varros pastaj këto dhurata nën dheun e paragjykimeve, nën figurën e rreme të Zotit, gjë që i paralizon fenë e veprat, duke tradhtuar, kështu, atë që pret Zoti nga secili prej nesh”.
 
Shembullin e mirë e gjejmë tek nxënësit, të cilët nuk i fshehën talentet pas frikës a xhelozisë, por - nënvizoi Papa – i bënë të japin fryte këto dhanti, duke i ndarë me të tjerët, pikërisht sepse – ripohoi Ati i Shenjtë – thesari që la Jezusi, është bërë për t’u shpenzuar, për t’u investuar, për t’u ndarë me të gjithë”.
 
Mësimi ungjillor, që na ofron sot liturgjia, ndikoi edhe në planin historiko-shoqëror, duke krijuar në popullsitë e krishtera një mendësi aktive e plot gjallëri. Por mesazhi kryesor ka të bëjë sidomos me frymën e përgjegjësisë, me të cilën duhet pritur Mbretëria e Hyjit: përgjegjësi para Hyjit e para njeriut”.

 
Benedikti XVI, që e përshëndeti turmën e mbledhur poshtë dritares së tij, në gjashtë gjuhë, kujtoi posaçërisht dy ngjarje kryesore: së pari, Ati i Shenjtë iu lut Zotit t’i shtojë thirrjet për bashkësitë e klauzurës, të cilave më 21 nëntorin e ardhshëm, do t’u kushtohet Dita pro Orantibus, duke kërkuar edhe impenjimin e besimtarëve në mbështetje të manastireve, që kanë nevoja materiale. Së dyti, kujtoi fillimin e Kohës së Ardhjes në kryedioqezën e Milanos, ku dje hyri në fuqi Leksionari i ri Ambrozian, paraqitur Atit të Shenjtë pak ditë më parë nga kryeipeshkvi i qytetit italian, kardinali Dionigji Tetamanzi. Duke kujtuar, së fundi, ditën për sigurinë rrugore, Papa u lut, në gjuhën angleze, për viktimat e aksidenteve rrugore dhe për familjet e tyre. “Sjellja jonë, kur jemi për rrugë – theksoi Ati i Shenjtë - duhet të jetë plot përgjegjësi, kujdes e respekt për të tjerët”.







All the contents on this site are copyrighted ©.