2008-11-15 17:25:59

In memoriam: Atë Zef Valentini S.J. në përvjetorin e 29-të të vdekjes.


(16.11.2008 RV)RealAudioMP3 Për Atë Zef Valentinin kanë thënë:

Papa Pali VI më 25 prill 1968, me rastin e festimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut në Romë: “Shqiptarë! Duajeni Atë Zef Valentinin, se ai ju do me zemër. Çmojeni, se ai punon pa pushim për t’i bërë të njohura para botës vlerat tuaja shpirtërore dhe artistike. Ai është juaji, sepse i ka dhuruar çështjes suaj mendjen e zemrën e vet”.

Ernest Koliqi: "At Valentini mbrriti në Shqipni ne shtatorin e vjetës 1922. N'at muej te ambel e te praruem vjeshtor, Shkodra e priti me heshtjen dhe nxehtësinë e rrugëve te saj gjarpnuese, rrethue me gjetht e zverdhuna te lulevileve n'agoni e me aromat e mshehta, qi asokohe vershojshin prej s'mbrendshmi në rrugë, tue ardhë prej matanë mureve te nalta te oborreve te mbylluna''.

Martin Camaj, pas botimit të korpusit vigan prej 30 vëllimesh, të mbledhura e të dokumentuara ndërmjet mijëra e mijëra skedash biblioteke, titulluar “Akte shqiptaro-veneciane të shekujve XIV-XV”, permbledhje e 4000 dokumenteve që, sipas vëllimeve, datojnë që nga viti 1301 deri në vitin 1447, shkruan: "Botimi i këtyne dokumentave po ban mjaft bujë ne rrethet shkencore gjermane, që po e konsiderojnë At Zef Valentinin, historianin ma të madh të kohës, jo vetëm në Shqipni, por në gjithë Gadishullin Ballkanik".
E ne kujtojmë sot se pas përndjekjes që iu bë në Shqipërinë komuniste, Atë Valentini rikthehet me veprën e tij në vendin e misionit e shqiptarët kujtohen sa i mungonte kulturës dhe traditës së tyre.
Interesi për veprën e tij madhore vijon të rritet. Kujtojmë botimin e Vëllimit I të veprave të Jezuitit të madh nga ‘Plejad’ dhe dëshirën për botimin e veprës së plotë të Atë Valentinit, punë vërtetë impenjative, që kërkon shumë kohë e shumë aftësi.


Atë Zef Valentini lindi në Padovë më 1 korrik 1900. U diplomua për filozofi në vitin 1924 dhe më pas për teologji në vitin 1928. Ndërmjet viteve 1922-1932 ishte mësues në Kolegjen e mirënjohur Saveriane të Shkodrës. Nga viti 1932 deri më 1943 drejtoi revistat e jezuitëve “Lajmtari i Zemrës së Krishtit” dhe “LEKA”.Në fund të vitit 1943 At Zef Valentini u largua nga Shqipëria për në Itali, ku drejtoi revistën “Letture” dhe nisi të botojë shumë tekste mbi Shqipërinë. Në vitin 1955 ishte në krye të Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Palermos, ku themeloi dhe drejtoi “Qendrën ndërkombëtare të studimeve shqiptare”. Vdiq në Palermo më 16 nëntor 1979.







All the contents on this site are copyrighted ©.