2008-11-15 17:28:22

365 ditë: "Mit Brenender Sorge: kur Papa dënon nazizmin".


(16.11.2008 RV)Besimtarët mbajnë frymën, ndërsa ndjekin me sy meshtarin, që ngjitet në predikatore. Është ditë e dielë, data 21 mars 1937 e famullitarët e të gjitha famullive katolike gjermane do të lexojnë zyrtarisht tekstin, përmes të cilit Papa dënon nazizmin.
“Mit brennender Sorge…”, fillon meshtari. “Me shqetësim të pamasë…”
Prej një jave teksti i Papës qarkullon zyrtarisht në të gjitha mjediset e Raihut III. Katolikët gjermanë e dinë mirëfilli se leximi i këtij teksti është tejet i rrezikshëm. Nazistët kanë nisur prej kohe t’i persekutojnë: disa kanë humbur punën ose janë flakur në qeli vetëm për shkak të fesë; bijtë e tyre detyrohen me forcë të hyjnë në organizata politike, në të cilat mësohen të adhurojnë Hitlerin, meshtarët vijojnë t’u nënshtrohen gjyqeve farsë… Dënimi i Papës krijon rrezikun t’i tërbojë edhe më keq nazistët. Nga ana tjetër, katolikët kanë shumë, tepër nevojë, të dëgjojnë një fjalë nga Papa: për ta është një lloj çlirimi. Fjala e Papës u ngjall guximin e nevojshëm për t’iu kundërvënë Adolf Hitlerit. Ua hap sytë të krishterëve, u tregon se është tepër e rrezikshme të rrish duke shikuar ç’ndodh, pa iu kundërvënë së keqes. Teksti i Papës ripohon me forcë besimin e vërtetë në Zotin, fenë e vërtetë në Krishtin. Dënon regjimin nazist, që e bën racën ariane e popullin gjerman objekt adhurimi. E akuzon se po shfrytëzon disa terma fetare, për t’ia transmetuar mesazhin e vet popullit.
Teksti i Papës është guximtar, por edhe i rrezikshëm e, për shumë kënd, tejet i bezdishëm! Pushteti nazist vepron menjëherë pas leximit publik të këtij teksti, gjë që nuk çudit askënd. Pritej! Policia e regjimit kërkon kopjet e fjalëve të Papës, kontrollon meshtarët e arreston tipografët. Ndër shkolla Kryqet zevendësohen me portretin e Hitlerit, Fürherit. Numri i katolikëve të arrestuar e të internuar në kampet e shfarosjes dyfishohet... Regjimi tërbohet kundër tyre e, pas kësaj ngjarjeje, ka një qëllim të vetëm: ta zhdukë ndikimin e Kishës katolike në Gjermani.
Prova është tepër e rëndë, por Kisha bëri atë që duhej të bënte. Piu XI vijon të ripohojë të njëjtat koncepte. Për të shmangur rrezikun e ndikimit të fjalimeve naziste kundër hebrenjve mbi besimtarët, në vitin 1938 Piu XI u kujton të krishterëve se jemi të gjithë bijtë e Abrahamit.Duke iu kundërvënë këtij regjimi të ultë, teksti i Papës i përgatit shumë të krishterë të marrin pjesë gjallërisht në lëvizjen e Rezistencës.







All the contents on this site are copyrighted ©.