2008-11-15 15:44:37

365 ditë: "Akademia Papnore e Shkencave: Çmimet Nobel në Vatikan".


(15.11.2008 RV)Shrëdinger, Bohr, Plank e Zeman janë shkencëtarë të mëdhenj. Të katërt kanë marrë çmimin Nobel për fizikën, kurorëzim i karrierës, për njerëzit që merren me kërkime shkencore.
Mund të mendohet se s’ka mbetur më asgjë që t’i çudisë. Por s’është ashtu. 1 qershori 1937 i çudit përsëri këta shkencëtarë, që janë ftuar të shkojnë në Romë, tek Papa. Piu XI sapo ka krijuar Akademinë Papnore të Shkencave (papnore do të thotë që varet nga papa). Është një asamble, në të cilën marrin pjesë shkencëtarë të fushave të ndryshme: fizikanë, matematikanë, kimistë, biologë... Pa lindur mirë, Akademia fiton menjëherë famë botërore, sepse në të bëjnë pjesë shkencëtarët më të famshëm të botës. Shumë prej tyre në fillim u çuditën për ftesën e Papës. Në të vërtetë, jo të gjithë ishin të krishterë, përkundrazi. Ishin nga vende të ndryshme e i përkisnin feve të ndryshme. E pikërisht këtë dëshironte Piu XI: detyra e Akademisë nuk është të ushtrojë autoritetin fetar, por të kërkojë të vërtetën në të gjitha fushat e shkencës, për ta kuptuar më mirë jetën e njerëzve. Akademia do të mblidhet herë pas here për disa javë, për të shkëmbyer mendime mbi argumente të veçanta, siç është për shembull krijimi i universit, origjina e njeriut, rreziqet që kërcënojnë njerëzimin nga luftërat bërthamore...
Por pse Piu XI e pasardhësit e tij interesohen kaq shumë për shkencën? Sepse mendojnë se ajo duhet të ndriçojë besimin e ta bëjë fenë më të fortë. Kur beson në Zotin, pa ia nënshtruar besimin arsyes, krijohet rreziku i rënies në bestytni, në bindje të rreme.Por, sipas Papës, edhe feja duhet ta ndriçojë kërkimin shkencor: ata, që duan ta shpjegojnë gjithçka në mënyrë shkencore, nuk mund të mos hasin vështirësi. Ka shumë gjëra që nuk mund të kuptohen. Duhet pranuar se ka mistere më të mëdha se ne, që i njeh vetëm Zoti. Disa shkencëtarë nuk pajtohen me këtë vizion të krishterë. Kanë frikë se Papa dëshiron t’i përdorë kërkimet e tyre shkencore, që të vërtetojë ekzistencën e Zotit: ç’ absurditet! Zoti nuk imponohet kurrë, Zoti hyn në zemrën e njerëzve. Ekzistenca e Zotit është e pashqyrtueshme. Max Plank, një nga Çmimet Nobel për fizikën, do të thoshte: “Shkenca e feja i prijnë, së bashku, betejës kundër padijes e bestytnisë, e parulla e kësaj kryqëzate ka qenë gjithnjë e do të vijojë të jetë: ‘Deri te Zoti!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.