2008-11-14 18:06:24

Kardinali Martino paraqiti kremtimet vatikanase për 60-vjetorin e Deklaratës të të Drejtave të Njeriut: nuk duhet ndryshuar, por duhet respektuar.


((14.11.2008 RV)Një akt përkujtimor, dhënie çmimesh disa personaliteteve të shquara në fushën e solidaritetit dhe një koncert në praninë e Papës. Këto janë nismat e përgatitura nga Selia e Shenjtë për të kremtuar solemnisht 60-vjetorin e Deklaratës të të Drejtave të njeriut. Për këtë u foli gazetarëve, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, kardinali Renato Rafaele Martino, kryetar i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes e, pas tij, edhe Inma Shara, e cila më 10 dhjetor do të drejtojë orkestrën për Koncertin në Vatikan.

Deklarata universale mbi të Drejtat e Njeriut nuk i njeh rrudhat e moshës, sepse parimet e saj mbeten të vlefshmne akoma sot, pas 60 vjet jete, e falë atyre u arritën dhe ndryshimet e mëdha shoqërore e ligjore, që vërehen në kohën tonë. Kardinali Renato Martino iu përgjigj kështu, në konferencën e shtypit, gazetarëve që i kërkuan një mendim lidhur me rrymën, e cila do të dëshironte ta rishikonte Dokumentin, miratuar më 10 dhjetor 1948. Magjisteri i Kishës – pohoi kryetari i Këshillit Drejtësi e Paqe, duke paraqitur kremtimet vatikanase për përvjetorin e madh – e ka vlerësuar gjithnjë pozitivisht Deklaratën e të Drejtave të Njeriut, të cilën Gjon Pali II më vonë e quajti “gur i vërtetë kilometrik në rrugën e progresit moral të njerëzimit”:

“Kisha mendon se të drejtat njerëzore shprehin dinjitetin e mbinatyrshëm të njeriut, e vetmja krijesë që Zoti e deshi për vete, qëllim e kurrë mjet, e mendon se miratimi i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut në vitin 1948, ishte një çast me vlerë të jashtëzakonshme, që i krijoi njerëzimit mundësinë për të fituar pjekurinë e ndërgjegjes morale në përkim të plotë me dinjietin e njeriut”.
 
Gjithsesi – vërejti me realizëm kardinali Martino - në këto gjashtëdhjetë vjet jete, Karta e OKB-së mbi të Drejtat e Njeriut nuk është zbatuar në të gjitha fushat e në të gjitha vendet, ashtu si pritej e si pritet. E kjo vërejtje e kardinalit Martino, nuk është përfundim teorik, por fryt i shtegtimeve të tij të shumta nëpër vendet e ndryshme të botës, ku pati rast të shikojë me sytë e tij si shkelen të drejtat e njeriut, posaçërisht të drejtat e të burgosurve.
Pak para se të shprehte këto mendime, kardinali Martino kujtoi se kremtimet do të hapen më 10 dhjetor, në orën 16. 00, me aktin përkujtimor. Të pranishëm - krerët e dikastereve të Kuries dhe Trupi Diplomatik i akredituar pranë Selisë së Shenjtë, që do të reflektojnë për aktualitetin e Deklaratës. Ndërmjet atyre, që do të marrin fjalën, janë sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Punës, Juan Somavia dhe drejtori i përgjithshëm i Fao-s, Zhak Diuf.
Më 18, pastaj, në praninë e Benediktit XVI, dirigjentia i mirënjohur spanjolle, Inma Shara, do të drejtojë koncertin organizuar nga Orkestra Simfonike e Frankfurtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.