Kisha katolike përkujtoi Shën Shtjefnin Kyenò, ipeshkëv e martir.
(14.11.2008 RV)Shekulli ishte vetëm dy vjeç - kështu e përshkruan datëlindjen
e vet nën Napoleonin, Konsull i parë, Viktor Hygoi, patriark i letërsisë romantike
franceze që lindi në Bezanson të Francës më 8 shkurt 1802. Në të njëjtin vit me autorin
e romanit “Të mjerët” lindte, në Belië, i biri i një bujku, që më pas do të bëhej
ipeshkëv, si imzot Myriel tek romani i Hygoit, e që do të kthente në rrugë të drejtë,
duke e thirrur vëlla, jo vetëm një ish të burgosur zemërbardhë si Zhan Valzhani, por
mijëra paganë nga Indokina, të cilët i desh si t’i kishte vërtetë vëllezër. Me ipeshkvin
Myriel, Viktor Hygo krijonte figurën ideale të prelatit të lidhur ngusht me popullin
e me mjerimin e tij, me shpirt sa ungjillor, aq edhe revolucionar. Po ta kishte njohur
imzot Kyenò-n, do të kishte pasur rastin të shihte figurën, jo letrare, por reale,
të një biri të popullit, për të cilin “i afërmi”, nuk ishte një shprehje e përgjithshme,
as një farë klase shoqërore, që jetonte në një vend e në një periudhë të caktuar historike.
I afërmi për të përfshinte të gjitha klasat, të gjitha racat e kombet, në atë revolucion
të përhershëm që është krishtërimi i vërtetë. I pagëzuar në një kullë sane, i edukuar
nga famullitarët e fshatit, Shtjefni i ri studioi me ndihmën e prindërve, që i paguanin
mësuesët me dhurata në natyrë. Kur hyri në teologji, e ëma shiti petkun e saj
të martesës, për t’i blerë uniformën e studentit. Prandaj, sa u shugurua meshtar,
gjëja e parë që bëri, ishte t’i blinte nënës një fustan të ri. Nuk e gjeti menjëherë
rrugën e meshtarisë. Në fillim deshi të bëhej orëndreqës. Pastaj shërbeu si katekist
e si mësues besimi. Së fundi e gjeti rrugën e vërtetë, duke hyrë, në vitin 1827 në
Kongregatën e Etërve misionarë të Shën Vinçenc de Paolit. Një vit më vonë misionari
i ri arrinte në Indokinë. Në vitin 1835 u shugurua ipeshkëv i Metelopolis. Filloi
menjëherë betejën për të mbrojtur besimtarët e tij të nëpërkëmbur e të persekutuar
nga ana e autoriteteve budiste. E në këtë betejë nisi të fitonte mijëra shpirtra.
Mijëra vetë nisën të kthehen në fenë e krishterë, të frymëzuar nga shembulli i jetës
së ipeshkvit. Kur njeri prej tyre detyrohej, me tortura, të mohonte fenë e re, njëqind
të tjerë kërkonin Pagëzimin. Kleri vendas u trifishua, u hapen shumë shtëpi për edukimin
e jetimëve, vijoi me zell të madh përkthimi i librave kishtarë e fama e ipeshkvit
francez arriti deri në zonat e largëta malore të Laosit. Në vitin 1861, gjatë persekutimit
të të krishterëve nga ana e mbretit Tu-Duk, ipeshkvi shenjt u kap e u mbyll në kafaz.
Nuk u mbyt menjëherë, por ngadalë-ngadalë me helme që përdornin vendasit, derisa mbylli
sytë më 14 nëntor 1861. Prandaj konsiderohet martir e nderohet me titullin ‘i Lum’. Rojet
që e ruanin thanë për të: “Ishte bërë i përkryer, prandaj qielli nxitoi ta merrte
para se të pësonte një poshtërim të ri”. E kishin fjalën për trajtimin e trupit të
tij të vdekur, të cilit iu pre koka. Një vit pas vdekjes së tij, një traktat ndërmjet
Francës e Indokinës, sanksiononte, të paktën në teori, lirinë e kultit në vend.