2008-11-14 18:05:28

365 ditë:"I Lumi Zefirin Gimenez Mala, cigani spanjoll që luftoi për paqen me Rruzare në dorë".


(14.11.2008 RV)RealAudioMP3 “Tani ta tregojmë ne si duhet të sillesh, prift i mallkuar”.
Disa njerëz të armatosur me shkopinj e kanë mbërthyer dom Manuelin, e kanë flakur për dhe e po e rrahin pa mëshirë. Dom Manueli e di se këtë vit, e jemi në vitin 1936, meshtarët spanjollë mund të vdesin në çdo skaj rruge. Që nga viti 1931, qeveria e Spanjës, e cila është bërë republikë, ka nisur ta persekutojë Kishën. Banda fanatikësh e milicësh, ndonëse nuk janë ushtarë të rregullt qeveritarë, mund të veprojnë në liri të plotë. Të armatosur deri në dhëmbë, më 1936 filluan jo vetëm t’i rrahin, por edhe t’i vrasin të krishterët.
Viti 1936 është nga më të këqinjtë në historinë Spanjës. Një pjesë e vendit e udhëhequr nga një ushtarak me emrin Franko, ngre krye kundër qeverisë, duke shënuar kështu fillimin e luftës civile. Të dyja palët ndeshen pa pikën e mëshirës. Milicët tërbohen edhe më keq kundër meshtarëve, ndonëse këta të fundit nuk kanë të bëjnë fare me luftën. Por pikërisht nga kjo luftë, në të cilën nuk marrin pjesë, do të shkaktojë vdekjen e shtatëmijë njerëzve të Kishës.
E ndërsa dom Manueli përgatitet të vdesë, një njeri u sulet agresorëve. Është Zefirini, cigan, mik i meshtarit. Lufton me të gjitha forcat për t’i çarmatosur kundërshtarët e për t’i shpëtuar jetën dom Manuelit. I kanë ardhur në maje të hundës padrejtësitë e nuk mund të rrijë duarkryq, duke parë si mbyten njëri pas tjetrit të gjithë miqtë e tij meshtarë, që nuk kanë bërë asnjë të keqe.
Lufta është krejt e pabarabartë: arma përballë Rruzares...
Zefirini arrestohet. Të tërbuar nga inati, milicët i kontrollojnë xhepat e pikërisht aty i gjejnë edhe armën: Rruzaren. E flakin në burg. Në qytetin e Barbastros të gjithë mbeten me gojë hapur nga çudia. Siii? Zefirini? Njeriu që s’di shkrim as këndim, që e ka zemrën arit e s’ndahet kurrë nga Rruzarja? E pamundur! Do ta lirojnë se s’bën! Do ta kuptojnë menjëherë se nuk është njeri i rrezikshëm. Nuk mund ta shikojnë si kriminel, vetëm pse shkon në Meshë ditë për ditë e pse u mëson katekizëm fëmijëve.
E pra ata munden! Në vitin 1936 të jesh besimtar si Zefirini, konsiderohet krim. Edhe të thuash Rruzaren është krim; e Zefirini nuk ndahet kurrë nga Rruzarja. E mba me vete edhe në burg, ku e kalon kohën duke u lutur. Për shkak të ‘këtyre krimeve’ vritet më 9 gusht të vitit 1936.
Në vitin 1977, shumë kohë pas kësaj periudhe të errët, Papa Gjon Pali II e shpall Zefirinin të Lum, sepse ky njeri paqësor nuk pushoi kurrë s’u luturi për paqen, edhe në vitin 1936, kur flitej vetëm me gjuhën e dhunës e të luftës.







All the contents on this site are copyrighted ©.