U hap në Vatikan, Konferenca ndërkombëtare kushtuar punës baritore në mjekimin e fëmijëve
të sëmurë.
(13.11.2008 RV)Sot kardinali Havier Lozano Barragan, kryetar i Këshillit Papnor
për punonjësit e shëndetësisë, hapi në Vatikan punimet e Konferencës XXIII ndërkombëtare
me temë: “Baritoria në mjekimin e fëmijëve të sëmurë”. Në këtë takim të rëndësishëm,
organizuar nga Këshilli Papnor për baritorinë e shëndetit, do të mbahen 43 kumtesa,
përgatitur nga specialistë, që ndjekin nga afër fëmijët e sëmurë. Në qendër të vëmendjes,
shoqërimi i fëmijës së sëmurë drejt takimit me Zotin, me Shpirtin Shenjt, duke u
përpjekur që sëmundja të kthehet në rast për zbulimin e Ungjillit. Mbi këtë impenjim
u ndalua kardinali Barragan, duke kujtuar kushtet, shpesh tepër të rënda, në të cilat
jetojnë shumë fëmijë në të katër anët e botës. Hirësia e Tij kujtoi plagë si Sida,
shpërdorimet seksuale, pedofilia, ushtrimi i dhunës në shkolla, hyrja në rrugën e
kriminalitetit e ndikimi negativ i televizonit e i internetit, por edhe përpjekjet
për shpëtimin fizik e shpirtëror të këtyre fëmijëve, përmes forcës së Ungjillit.