(13.11.2008 RV)Papa Nikolla I,
që e drejtoi Kishën katolike universale nga 24 prilli i vitit 858 deri më 13 nëntor
867, lindi në Romë në 20 vjetët e para të shekullit IX. Është e sigurtë se u shugurua
subdiakon nga Papa Sergji II, i cili papnoi nga viti 844 deri në vitin 847. Ishte
njeri me kulturë të gjithanshme, me personalitet të jashtëzakonshëm, me fe të gjallë.
Prandaj u mirëprit si nga autoritetet shekullare, ashtu edhe nga Kisha e nga populli
romak. Gjatë papnisë së tij iu desh të ndeshej si me mbretërit, ashtu edhe me metropolitët
e autoritetet politike e kishtare të Kostandinopojës, për afirmimin e parisë papnore
dhe për pranimin e epërsisë së Kishës në çështjet fetare, posaçërisht në zgjedhjen
e ipeshkvijve. Mbeten në histori marrëdhëniet e tij me Perandorinë karolinge.
Kur mbreti Lotari II deshi të ndahej nga Teutberga, së cilës nuk i kishte falur Zoti
fëmijë e të martohej me të dashurën, Valdradën, me të cilën kishte tre fëmijë, Papa
Nikolla nuk pranoi t’ia zgjidhte martesën e, aq më pak, ta kurorëzonte rishtas. Kur
mbreti mblodhi një koncil, i cili pranoi t’ia anullonte martesën, Nikolla I e shpërndau
koncilin; i çkishëroi pjesëmarrësit dhe i deklaroi të pavlefshme vendimet e tij. Me
gjithë presionet e karolingëve të cilët, për ta frikësuar, rrethuan Romën, Nikolla
I nuk u tund nga vendimi i tij. Ishte njeri i drejtë e i vendosur, që i druhej vetëm
Zotit. Madje ishte i mendimit se njerëzit e Kishës nuk duhet të merrnin pjesë në qeverisjen
e punëve të kësaj bote. Në vitin 867, një sinod i mbledhur në Kostandinopojë, arriti
ta çkishëronte Papën Nikolla I, i cili vdiq më 13 nëntor 867 e u varros në tremen
e Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, para portave të saj. Kisha katolike e lartoi
në nderimet e elterit, duke i dhënë edhe titullin ‘i Madh’, prandaj tani njihet si
Shën Nikolla i Madh.