2008-11-13 17:41:59

Kardinali Toran: besimtarët nuk duhet ta përdorin fenë për të përligjur dhunën e për të kufizuar lirinë.


(13.11.2008 RV)RealAudioMP3 “Fetë, pavarësisht nga ligështitë e kontradikat e ndjekësve të tyre, janë gjithnjë lajmëtare të pajtimit e të paqes, por besimtarët tyre duhet të jenë koherentë e të besueshëm” – këtë nënvizoi dje kardinali Zhan-Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, në ditën e parë të takimit të rangut të lartë, organizuar nga mbreti i Arabisë Saudite Abdullah, në Nju Jork, pranë selisë së OKB-së.
Në takimin me temë ‘Kultura e paqja’ morën pjesë presidentë e kryeministra të 70 vendeve. Kardinali Toran kujto rolin e feve për mbrojtjen e së mirës së përbashkët të shoqërisë, por njëkohësisht pohoi edhe se besimtarët mund ta përdorin fenë për të kufizuar lirinë e ndërgjegjes, për të përligjur dhunën, për të përhapur urrejtjen e fanatizmin e për të minuar pavarësinë e politikës nga feja. Edhe OKB-ja, për vetë natyrën e misionin e saj – vijoi kardinali Toran – duhet të jetë shkollë e paqes. Këtu duhet të mësohet sesi duhet menduar e vepruar, duke pasur mirë parasysh dëshirat, shpresat e interesat e drejta të të gjithëve. Këtu vendet kanë të njëjtin dinjitet, por për të krijuar bindjen se të gjithë i përkasin një familjeje të vetme, duhet kapërcyer logjika e marrëdhënieve të forcës, për t’i hapur udhën forcës të së drejtës.
Duke cituar Benediktin XVI, kryetari i dikasterit të Vatikanit, shprehu bindjen se paqja rrezikohet nga qëndrimi indiferent ndaj asaj që përbën natyrën e vërtetë të njeriut e që është në bazë të vlerave të përbashkëta të të gjithëve, besimtarë e jo besimtarë: shenjtërisë së jetës, dinjitetit të njeriut, respektit për lirinë e ndërgjegjes e të fesë, mirëpritjes së opinioneve në larminë e tyre, përdorimit të drejtë të arsyes, vlerësimit të jetës demokratike, vëmendjes për burimet natyrore. Duhet shkuar përtej tolerancës dhe kompromiseve të paqarta – përfundoi kardinali Toran - për të ndërtuar së bashku, pa hequr dorë nga pasuria kulturore e fetare e secilit, një botë më të sigurtë e më vëllazërore.
Takimi përfundoi sot.







All the contents on this site are copyrighted ©.