2008-11-13 17:41:48

Bilanc i seminarit të parë katoliko-islamik në fjalët e Atë Samir Khalil Samir


(13.11.2008 RV)RealAudioMP3 Fjalimi i Benediktit XVI drejtuar pjesëmarrësve të Seminarit të Forumit katoliko- islamik dhe Deklarata përfundimtare, nënshkruar të enjten e kaluar nga përfaqësuesit e të dyja feve, duhet të përkthehen në sa më shumë gjuhë e të përhapen sa më shumë që të jetë e mundur përmes mjeteve të komunikimit. Vetëm kështu mund të japin fryte të mira. Kështu mendon jezuiti Samir Khalil Samir i cili, si islamolog, mori pjesë në seminar në cilësinë e specialistit. Në mikrofonin tonë, përshkruan atmosferën e këtyre dy ditëve dialogu dhe komenton rezultatet:

Përgjigje: - Atmosfera ishte vërtetë paqësore e pozitive. Vërehej menjëherë se të gjithë dëshironin t’i kapërcenin vështirësitë, pa mohuar ndryshimet. Nuk ishte thjeshtë mirësjellje apo diplomaci: ishte shumë më tepër: miqësi që rritej edhe përmes takimeve, pushimeve ndërmjet diskutimit, bisedave. Atmosfera ishte pozitive, vëllazërore, serioze dhe e një niveli tepër të lartë.

Pyetje: - Atë Samir, ju jeni i kënaqur nga rezultatet konkrete që u arritën në këtë seminar?

Përgjigje: - Përgjigja sigurisht është po! Natyrisht ndokush edhe mund të zhgënjehet, sidomos kur nuk i njeh problemet e dialogut ndërfetar e kur pret rezultate të menjëhershme, duke nisur nga pika e parë: të ndërtojmë xhami këtu e kisha atje; dhe e dyta, tani e tutje kjo të bëhet realitet. Nuk është e mundur e as që duhet menduar. Mund të ndodhë vetëm pas shumë vjet dialogu. Tema ishte shpirtërore e, pjesërisht, abstrakte, megjithatë të gjithë u përpoqën ta konkretizojnë e u arrit në disa përfundime shumë praktike, shumë pozitive, që na kënaqin, me vetëdijen se në një takim të tillë nuk mund të shkohej më tej. Nuk qe aspak e lehtë të shkruhej raporti përfundimtar, sepse duhet të ishim njëmendjeje për të gjitha çështjet. Për çdo pikë, domethënë. Prandaj u diskutuan të gjitha pikat, një për një. Arritëm të flasim edhe për gjëra shumë të vështira, siç është për shembull tema e ndërrimit të fesë; të gjithë e dinë se është një nga problemet më delikate, sepse konsiderohet si pjesë përbërëse e Sharisë, apo ligjit islamik, sipas të cilit kush ndërron fe, duhet mbytur. E megjithatë ia dolëm mbanesh të pohojmë parimin e lirisë në kuptimin konkret të kësaj fjale. Secili ka të drejtë ta jetojë e ta praktikojë fenë e vet, si në mjediset private, ashtu edhe në ato publike.

Pyetje: - Kur e lexon deklaratën përfundimtare, të duket se përmban pika shumë impenjative për botën islamike…

Përgjigje - Po, është e vërtetë, e janë pikërisht këto pika që krijuan vështirësi. Por për zgjidhjen e tyre ndihmuan edhe ata vetë, posaçërisht Myftiu i Madh i Bosnjës, i cili tha: “Këto parime njihen nga një pjesë e mirë e vendeve islamike që në vitin 1948, me Deklaratën universale të të Drejtave të Njeriut”. Kështu mund të themi se në teori nuk ka asnjë problem. Praktikisht, duhet që secili t’i vërë në jetë këto parime në vendin e vet e me mjetet e veta. U ndje fort dëshira për të ecur përpara në këtë rrugë, duke u përpjekur për t’i kapërcyer vështirësitë, që nuk mungojnë e duke e ditur mirëfilli se shumë nga ne, si të rikthehemi në atdhe, do të kritikohemi: “Siii?, e nënshkruat një dokument të tillë?”. Por në takim u tha: “Duhet të ecim përpara!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.