2008-11-13 17:54:10

365 ditë: "Andre Gjaçinto Longin: në gjurmët e Shën Françeskut të Asizit përballë fashizmit".


(13.11.2008 RV)“Pi!”. Meshtari i ri ua ngul sytë agresorëve. Është sulmuar nga një bandë ‘këmishash të zeza”, njerëz të ndërkryer, që mbështesin lëvizjen fashiste të Musolinit. Për të shtënë në dorë pushtetin në Itali, fashistët përdorin metoda frikësuese, sulmojnë kundërshtarët e terrorizojnë njerëzit, që kalojnë rrugës në punë të vet: kështu, duke ngjallur frikë e tmerr, fitojnë terren. Një nga mizoritë, që u pëlqen më shumë, është t’i detyrojnë njerëzit të pijnë me fund një nga pijet më të neveritshme: vaj ricine.
Meshtari, duke parë fytyrat e atyre që e rrethojnë, e kupton se s’ka nga t’ia mbajë: duhet ta pijë gotën e vajit. Dalë-nga-dalë e vë në buzë dhe …
Në vitin 1936 Kisha italiane kalon çaste të vështira, posaçërisht në zonat veriore, në Trevizo, dioqezë e imzot Longinit. Ky mik i madh i papës, që kur u shugurua meshtar, në vitin 1886, përsërit pa u lodhur kurrë se të krishterët duhet të punojnë për paqen. E natyrshme. Ai është kapuçin. Të lindur nga Urdhëri françeskan, kapuçinët janë simbol i paqes e i të mirave, ashtu si themeluesi i tyre, Françesku i Asizit. E ashtu si Shenjti i gëzimit të përkryer françeskan, janë njerëz të lutjes e të bashkimit. Tani fashistët nuk duan ta dëgjojmë fjalën paqe e nuk mund t’i honepsin njerëzit që i kundërvihen dhunës, ndërsa admirojnë përdorimin e forcës e bëjnë thirrje për luftë!
Imzot Longini nuk është frikacak, si e akuzojnë fashistët. Më pak se dhjetë vjet më parë, gjatë Luftës së madhe, Trevizo ishte në vijën e frontit. Pavarësisht nga bombardimet e vazhdueshme, Andreu Longin nuk kërkoi të shpëtojë kokën e vet. Vijoi të jetojë ndërmjet gërmadhave të të pesëdhjetë kishave të qytetit, për të ndihmuar popullsinë. E i ftoi të gjithë meshtarët të ndiqnin shembullin e tij. Gjatë shërbimit baritor, punoi me gjithë zemër për riorganizimin e dioqezës, duke i njohur nga afër meshtarët e famullitë, e posaçërisht duke u munduar të krijojë një unitet të fuqishëm ndërmjet katolikëve, të cilët u përçanë rishtas politikisht nga lindja e lëvizjes fashiste.
Imzot Longin psherëtin thellë. I duhet t’i ballafaqojë përsëri meshtarët, t’u ngjallë guximin, të luftojë për paqen, edhe në se do t’i duhet të pijë tonelata vaj ricine e të trajtohet edhe më keq se u trajtua. Kisha duhet të jetë kështjellë e pathyeshme i lirisë, përballë përdhunës.
Ndërsa përpiqet të mbyllë sytë, pas sulmit kaq poshtërues, ipeshkvi mërmërit fjalët e Shën Françeskut të Asizit: “O Zot, më bëj lajmëtar të paqes sate! Ku ka urrejtje, të çoj dashurinë…
Në vitin 2002 Gjon Pali II e shpall Andre Loginin të Lum.







All the contents on this site are copyrighted ©.