2008-11-12 16:41:33

Shtërgu, në 21 vjetorin e shtegtimit.


(12.11.2008 RV)21 vjet më parë, më 12 tetor 1987, mbylli sytë në shtëpinë e tij të Tiranës, Liriku më i madh i letrave shqipe, Lasgush Poradeci. Lasgushi lindi në Pogradec diku rreth fundit të shekullit të XIX, as ai vetë s'e dinte se në ç'ditë, në ç'muaj e në ç'vit. Kaloi një jetë të trazuar, plot ravgime, që nga Pogradeci, ku kreu shkollën fillore greqisht, në Athinë, ku kreu liceun e famshëm të fretërve maristë, që u hapte nxënësve të vet dyert e të gjitha universiteteve të Botës, në Shqipëri, Rumani, pikërisht në Bukuresht, ku kreu akademinë e Arteve të Bukura e nga ku nisi të duket në shtyp firma e tij e pavdekëshme poetike, e në Graz të Austrisë, ku kreu studimet në filologji romane e gjermane, duke mbrojtur titullin shkencor me një studim krahasimtar për poetin e famshëm rumun me origjinë shqiptare, Mihal Eminescu.
U kthye në Shqipëri në moshë të pjekur dhe filloi punën si profesor i vizatimit dhe bukurshkrimit në liceun e Korçës e të Tiranës. Me kujdesin e shokut të ngushtë të letrave, poradecarit tjetër të madh, Mitrush Kutelit, u përmblodhën e u botuan dy vëllimet e famshme të lirikës së tij "Vallja e Yjve"(1933) dhe "Ylli i Zemrës" (1937), ribotuar së voni nën kujdesin e të bijave Kostandinës e Marijes, nga shtypshkronja "Onufri", pasuruar me poezi e shkrime të mëvonshme në prozë, shkruar prej vitesh e megjithatë, të panjohura.
Në vitet e diktaturës punoi për pak kohë në Institutin e Shkencave e sidomos në Shtëpinë Botuese, duke përkthyer kryevepra poetike nga gjuhë të ndryshme, sepse ai ishte jo vetëm Poet i madh, por edhe një nga poliglotët dhe eruditët më të mëdhenj të kulturës shqiptare. Kush e njohu nga afër e dinte se Llazar Sotir Gushua ishte bërë libër, siç i pati thënë një ditë e zonja gjermane e shtëpisë ku banonte në Graz, duke e parë ditë natë me libër në dorë.
Lasgushi është padyshim edhe disidenti më i madh në vitet e diktaturës. Jetoi e vdiq me ankth në zemër, duke gjetur të vetmin ngushëllim te Bibla, të cilën e mbante mbi komodinë e duke pritur arrestimin. Pse? As ai s'e dinte, ashtu si nuk e ditën kurrë shumë intelektualë që u pushkatuan pa gjyq. Në të vërtetë, nuk e arrestuan, nuk e dënuan me burg, po me një dënim edhe më të tmerrshëm: me heshtje e harresë. Shumë kush e dinte të vdekur në vitet e diktaturës, ndërsa ai , më i gjallë se të gjallët, vijonte të krijonte lirikat e tij të holla e të ëmbla, t'i këndonte Zotit, natyrës e dashurisë shqiptare, sikur të mos ekzitonte përdhuna, për të cilën ishte i mendimit se nuk duhej kujtuar fare, as për mirë e as për keq, sepse meriton të mbulohet plotësisht e përgjithnjë me heshtjen e varrit në pafundësinë e historisë.
Poeti i madh pushon në paqe në Pogradecin që e desh aq fort e e këndoi si moskush, në një varr përballë liqerit të kaltër nën kurorën e pyllit me gështenja.
Po kujtojmë sot ndonjë shllim të Poetit, pak e aspak të njohur, që na zbulon mendimet e shijet e tij:
Mbi Poezinë:
Nuk ka poezi të mirë e të keqe: është poezi, ose s'është poezi!
Mbi politikën e kulturën:
Mendoj se qendrat e fuqishme politike bëhen edhe qendra kulturore-letrare dhe i japin popullit gjuhët letrare. Ndryshe s'bëhet.
Mbi shkrimtarët shqiptarë.
Më pëlqen shumë e vetmja poezi e Pashko Vasë Shkodranit. Ngrohtësia, thellësia e embëlsia, forca e kushtrimi i fjalës së saj s'kanë shoqe në poezinë botërore. Poezi të atillë s'ka shkruar as Goethe - e Poeti gjerman është masa kryesore për mua.
Luigj Gurakuqi është figurë vigane, aq sa as Noli nuk ka arritur dot ta skalitë në varg, pavarësisht nga përdorimi i epitetit Vigan. Poezia e Nolit është më shumë oratori se sa poezi. Ende nuk e ka gjetur mjeshtrin figura e Tribunit të Vegjëlisë. Luigj Gurakuqit akoma s'i është shkruar poezia.
Lirika filozofike
E urrej abstrakten, të pakuptueshmen. E kjo më largon përfundimisht nga të gjithë modernistët. E qartë, pa përjashtuar thellësinë - kjo është motua e lirikës sime filozofike.
Muzika:
Adhuroj uverturat dhe gjithë muzikën e Verdit.
Kritika letrare:
Më pëlqen shumë De Sanctis. Mendoj se kritiku nuk mund të jetë i tillë, pa qenë më parë ai vetë poet.
Preferencë poetike:

Faustin e adhuroj: në këtë vepër është përfshirë gjithë dhimbja e gjithë gëzimi njerëzor. Adhuroj edhe Leopardin
Më pëlqejnë shumë poetët ballkanikë. Vlejnë më tepër se shumë prej poetëve të njohur të Evropës, por mbeten të panjohur për shkak të gjuhëve në të cilat shkruan. Mjafton të kujtojmë Fishtën. 







All the contents on this site are copyrighted ©.