2008-11-12 16:40:57

Rabini Rozen në takimin hebraiko-katolik në Budapest: “Le të ndërtojmë së bashku shoqëri të themeluara mbi vlerat thelbësore.”


(12.11.2008 RV)RealAudioMP3 Në Budapest, në Hungari u mbyll sot takimi ndërmjet Komisionit të Selisë Shenjte që kujdeset për marrëdhëniet me hebraizmin dhe delegacionit të Rabinatit të Lartë të Izraelit për marrëdhëniet me Kishën Katolike. Takimi këtë vit pati si qëllim përcaktimin e gjendjes së marrëdhënieve ndërmjet dy besimeve fetare në vendet e Evropës Lindore dhe në veçanti aftësitë e tyre për të ndërhyrë në shoqërinë civile. Mbi këto tema u ndal edhe rabini David Rozen, kryetari i Komitetit Ndërkombëtar Hebraik për Konsultimet Ndërfetare (International Jewish Committee for Inter-religious Consultations). Në fjalën e tij ai nënvizoi edhe rëndësinë e përkujtimit të 70-vjetorit të “Natës së kristaleve”, e thënë ndryshe, të datës kur nisi edhe persekutimi i hebrenjve në Gjermani. Por, për më hollësisht të dëgjojmë vetë rabinin Rozen:


Përgjigje: Me të vërtetë mund të themi se bëhet fjalë për një ngjarje historike, e kjo për një varg arsyesh. Ndër të tjera përkujtimi i “Natës së Kristaleve” të para shtatëdhjetë vjetëve. Vetë e veçanta e këtij përkujtimi – domethënë që u realizua nga Kisha Katolike dhe Bashkësia Hebraike– qe një ngjarje e posaçme por edhe dëshmon për rrugën që kemi bërë për t’u orvatur për ta shndërruar tragjedinë e së kaluarës në kujtesë të përbashkët, për ta kujtuar dhe për ta mësuar. Është një ngjarje historike. Kjo ngaqë qe hera e parë, që nga rënia e komunizmit, që u takuam në pjesën lindore të Evropës qendrore. Po kërkojmë rrugë që të na japin përgjegjësi jo vetëm të ndërsjella, por edhe përgjegjësi të përbashkëta në ndërtimin e shoqërive të reja të shëndosha, që këto shoqëri të mos jenë të themeluara më vetëm mbi elemente të materializmit shekullar, por edhe që të kenë një të ardhme si dhe qëllime jetësore.

Pyetje: Cila është përvoja e juaj në lidhje me bashkëpunimin ndërmjet hebrenjve dhe katolikëve në vendet evropianolindore?


Përgjigje: Mendoj se është shumë e vështirë të përgjithësosh mbasi ky bashkëpunim ndryshon nga shteti në shtet. Por kam përshtypjen se edhe pse kemi arritur fitore domethënëse, prapëseprapë ka shumë rrugë për të bërë. Një pjesë e shkaqeve për të cilat themi se ka shumë për të bërë qëndron në faktin se çdo bashkësi, kuptohet, ka prirje të merret kryesisht me problemet e veta themelore, të cilat nuk është e thënë të jenë të njëjta me ato të bashkësive të tjera. Prandaj, tema e marrëdhënieve hebraiko-katolike nuk e ka gjithnjë përparësinë e duhur për bashkësitë e veçanta.


Por takimi i Budapestit u kushtoi vëmendje edhe brezave të rinj dhe rëndësisë që ata të edukohen me ndjenjën e dialogut ndërfetar. Këtë e dëshmon edhe Atë Norbert Hofman, sekretar i Komisionit Papnor të Hungarisë:

Përgjigje: Një nga qëllimet tona, që në fillim, ishte ai i përfshirjes së brezit të ri. Këtu patëm 12 të rinj të një moshe që shkonte nga 20 deri në 30 vjeç, të gatshëm për të dialoguar për të ardhmen e tyre. Pastaj, vitin e ardhshëm, do të zhvillohet një kuvend ku do të përfshihen edhe myslimanët. Në vendet e Evropës lindore ka edhe bashkësi të krishtera ortodokse që ndonjëherë përbëjnë shumicën. Kështu pra, një detyrë tjetër është përfshirja e të krishterëve ortodoksë, si një hap i mëtejshëm drejt dialogut.







All the contents on this site are copyrighted ©.