2008-11-12 16:41:47

Lasgush Poradeci: Njeriu dhe Zoti


(12.11.2008 RV) Në ty qëndron, po, Zoti - tha zemra shpesh vetiu,
Më tha me zë të fellë, dhe prapë-u qetësua;
Dhe prapë që nga gjiri q’u tund e psherëtiu
Me fshehtësi më foli: Ay qëndron në mua...
Ahere pata heshtur e s’kuvëndova dot,
Ahere thelb’ i zemrës m’u droth posi thërrime:
Sepse në vetëveten të pata ndjerë, o Zot!
Mjerush të pata ndjerë në vetëveten t’ime!
A! dyke neveritur gëzim e dhembje pàs,
Me sy të vetëtimshëm e dyshimtar e tinës,
Kur që nga shkëmb’ i vetes qëndrova të sodas
Sa keq m’j-u patnë hapur të fellat e greminës -
Ndaj fundesh llaftarije ky syr’i em u mvrejt,
E mënt’ e turbulluar askur s’u mund t’u matin:
T’a pata matur shtatin! T’a pata matur krejt!
Ndaj fundesh llaftarije T’a pata matur shtatin!

O Zot! Po rroj pëndesën e jetës më së nxire:
Shtërmadh në vete t’ënde- më dhè kaq vogëlsi...
E si m’a ngrite shpirtin nër kulme lartësire-
Sesá në fund ke zbritur! sesá në fund të ti!...

Lasgush Poradeci, Vepra 1, Onufri, 1999, fq 107







All the contents on this site are copyrighted ©.