2008-11-12 16:39:31

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: “Eja Zot Jezus e ndërroji padrejtësitë, që lëshojnë rrënjë në botë e në zemrat njerëzore!”.


(12.11.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Ati i Shenjtë e përfundoi audiencën e përgjithshme me një lutje të improvizuar e të thellë, drejtuar Krishtit, që mundi vdekjen, duke iu lutur që të vijë përsëri në botën e shekullit 21-të e t’i ndryshojë të gjitha situatat, të cilat flasin për drama e padrejtësi: situatën në Darfur e në Veri të Kivusë, atë të indiferencës së njerëzve që e kanë harruar Krishtin e të atyre që nuk e njohin. Katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë ia kushtoi përsëri mësimeve të Shën Palit Apostull, duke u ndaluar posaçërisht tek Parusia, apo ardhja e dytë e Krishtit.
Nuk do të harrohet lehtë lutja përfundimtare e kësaj së mërkureje në Sheshin e Shën Pjetrit. Pasi shpjegoi thjeshtë atë, që Shën Pali shkroi në Letrat e tij për kthimin e lumnueshëm të Krishtit në mbarim të kohëve, Benedikti XVI ia hapi zemrën turmës që e ndiqte. Ardhja e dytë e Jezusit – tha Papa – i ngarkon me përgjegjësi të krishterët, të cilët duhet të punojnë e ta dëshmojë Ungjillin e tij në të sotmen e historisë. Por kjo – vijoi – nuk duhet t’i bëjë ta harrojnë dëshirën e zjarrtë karakteristike për fenë e krishterë, që shprehet në një lutje shumë të lashtë: “Maranà thà”, “Eja, Zot Jezus”. E kjo ‘Eja’ sot u bë një lutje sa e vetvetishme, aq edhe emocionante, që iu drejtua mbarë njerëzimit.
Të krishterët nuk luten që të marrë fund bota, por mund të luten për ardhjen e Krishtit, në një botë ku ka padrejtësi e dhunë, ku ka refugjatë si ato të Darfurit, ku ka njerëz që drogohen, e të pasur që e harrojnë Zotin. Kështu u shpreh Papa në audiencën e përgjithshme, gjatë një reflektimi kushtuar jetës së pasosur, duke u nisur nga letrat e Shën Palit, posaçërisht nga Letrat drejtuar Selanikasve, Filipianëve e Korintianëve. “A mund të lutemi edhe ne me fjalët e lutjes së lashtë ‘Maranà thà”, “Eja, Zot Jezus”? i pyeti Papa 15 mijë besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, e më pas vërejti: “Më duket se sot, në jetën tonë e në botën tonë, është vështirë të lutemi që të vijë fundi i kësaj bote, të vijë Jeruzalemi i ri, të vijë gjyqi i fundit e gjykatësi, Krishti. E mendoj sinqerisht se nuk e marrim guximin të lutemi kështu për disa arsye: gjithsesi, në mënyrë të drejtë e korrekte edhe ne mund të lutemi, ashtu si të krishterët e parë, e të themi: “Eja, Jezus!”, gjë që nuk do të thotë se duam të vijë fundi i botës, por se duam të marrë fund kjo botë e padrejtë, duam që të ndryshojë në themel e në të të mbretërojë drejtësia e paqja, pa dhunë e pa uri. Këtë dëshirojmë. Po si mund të arrihet e gjithë kjo, pa praninë e Krishtit? Pa praninë e Zotit – pohoi Papa Racinger, i cili e shtjelloi katekizmin lirisht, jashtë tekstit zyrtar – nuk mund të kemi kurrë një botë të re e të drejtë prandaj, në rrethanat e kohës sonë, edhe ne duhet të themi, e me urgjencë të madhe:

“Eja, Zot! Eja në mënyrën tënde, në mënyrën që di Ti. Eja atje ku ka padrejtësi e dhunë. Eja në kampet e refugjatëve në Darfur, në Veri të Kivusë e në vise të tjera të botës. Eja atje ku sundon droga. Eja edhe ndërmjet të pasurve, që të kanë harruar, që jetojnë vetëm për vetveten. Eja atje ku je fare i panjohur. Eja e përtërije jetën tonë, zemrat tona! Eja në shpirtin tonë, që ne të bëhemi prania jote, drita jote. Në këtë kuptim lutemi me Shën Palin ‘maranà thà’, “Eja Zot Jezus”, e kërkojmë me gjithë zemër që Krishti të jetë vërtetë i pranishëm sot, që ta rinojë botën tonë!”.

 
Benedikti XVI kujtoi edhe fragmentin ungjillor të talenteve, që besimtarët të mos harrojnë se Krishti është edhe gjykatës e se gjykatësi do të na pyesë një ditë: “Çfarë bëtë me talentet, që jua pata besuar?”. Prandaj pritja për kthimin e dytë të Jezusit, kërkon që të krishterët ta ndjejnë fort përgjegjësinë e tyre në e për këtë botë.







All the contents on this site are copyrighted ©.