2008-11-12 16:44:14

365 ditë: "Andre Frosar takohet me Zotin!".


(12.11.2008 RV)Paris, 8 korrik 1935, Rruga e Ulmit pranë Panteonit. Andre Frosar, gazetar njëzet vjeçar, ka takim me një studente gjermane, që vijon shkollën e arteve të bukura. Ora 17 e 10. Është tepër shpejt. Andre shikon mikun e tij, Vilemin, duke hyrë në kapelën e motrave të Adhurimit. I çuditshëm Vilemini: kohët e fundi ka rizbuluar fenë e fëmijërisë. Do ta ndjekë pas Andre Frosar? Do të hyjë pas tij në Kishë? Nuk e di ç’të bëjë. Priftërinjtë nuk i pëlqejnë fare, ndoshta edhe pse i përket një familjeje me bindje të kundërta. Familja e tij është agnostike: beson se, mbasi Zoti nuk mund të njihet përmes pervojës, domethënë se nuk ekziston. I jati, Lui Oskar, i njohur me emrin Ludovik, është një nga personalitetet më të njohura të së majtës franceze. E në në vitin 1920 është zgjedhur sekretar i partisë komuniste.
Andre shtyn portën e Kapelës. Motrat, në gjunjë, adhurojnë të Shenjtnueshmin Sakrament. Po ai as që e di ç’është i Shenjtnueshmi… S’ka dëgjuar kurrë të flitet për Të. Mbi elter spikat një kryq prej metali, me një hoste të madhe, të bardhë, në qendër. Andre kërkon me sy mikun, i cili duhet të jetë në kapelë. Por hostia ia tërheq fort vëmendjen. E sytë e tij mbeten të ngulur mbi të. Nuk e di se Jezusi është aty, i pranishëm. Ndjen sesi një dritë e çuditshme, krejt e panjohur, nis ta ndriçojë jetën e tij. Papritmas, ai beson! E ja që Vilemini e shikon e të dy dalin së bashku nga Kapela. Andreu i duket i çuditshëm e nuk e di pse. Por, gjithnjë papritmas, merr përgjigjen për pamjen e hutuar të mikut: “Jam katolik” – i thotë, e i shpjegon gjithë ç’i ndodhi pak minuta më parë. Prania e Zotit në shpirtin e tij vijon për një muaj. “Çdo mëngjes” do të shkruajë Andreu “ndjeja një gëzim të pakufishëm, që buronte nga kjo dritë e më dhuronte një ëmbëlsi, të cilën nuk do ta harroj kurrë”. Kjo ëmbëlsi, që e bën të përceptueshme praninë e Zotit në heshtje, është harmonia e rigjetur e qiellit dhe e tokës në kopshtin e shpirtit.
Prindërit e Andreut e marrin vesh lajmin… nga shtypi. E vizitojnë djalin tek një mjek i besueshëm, dmth tek një njeri pa Zot, siç ishin edhe vetë. E ai arrin në përfundim se ishte përballë ndikimit ‘të hirit’.
Andre Frosar përgatitet të marrë kungimin. Ideja e Eukaristisë, themeluar nga Jezusi, e bën të lum. “Më çudiste fakti, që mëshira hyjnore kishte gjetur këtë mënyrë krejtësisht të re për t’u bërë e pranishme, e sidomos, që kishte zgjedhur bukën, shujtën e të varfërve, ushqimin më të pëlqyer të fëmijëve”.
Më pas Andre Frosar do të shkruante një libër, në të cilin do të tregonte si u prek nga hiri i Hyjit. “Zoti ekziston” do të pohonte, “Unë e kam takuar”. Do të ishte një mënyrë për t’u dhënë përgjigje të gjithë atyre, që besojnë se për Zotin nuk mund të flitet, përderisa nuk mund të provohet prania e Tij!







All the contents on this site are copyrighted ©.