Meditim mbi kuptimin e vdekjes – në muajin kushtuar përkujtimit të të vdekurve!
(11.11.2008 RV)Jemi në një muaj,që na nxit të reflektojmë thellë e sidomos,
na shtyn t’i bëjmë vetes pyetjen më të rëndësishme, të përjetshme: prej nga vijmë
e ku shkojmë? Ç’kuptim ka jeta e aq më tepër, vdekja? Vdekja sot është bërë
fjala më e padëshrueshme, është bërë tabu. Nuk duhet folur për të, e as nuk duhet
menduar. Njeriu i sotëm nuk dëshiron ta pranojë vdekjen: prandaj përpiqet të krijojë
mitin e shëndetit e të formës së përkryer fizike, një lloj rinie të përjetshme, që
e përjashton plakjen e vdekjen. Ndeshemi me prirjen për t’ia fshehur vdekjen njeriut
që i afrohet cakut të fundit, duke i mohuar kështu mundësinë të përgatitet për këtë
shtegtim të mbram, tepër të vështirë, drejt amshimit. Njeriu i sotëm rrallë herë
vdes në shtëpi të vet, i rrethuar nga fytyrat e dashura të të afërmve: sot vdiset
ndër strukturat shëndetësore, në vetmi të plotë! Vdekja bëhet gjithnjë më anonime,
formë e shpersonalizimit të njeriut që ka jetuar e ka vdekur. Tepër aktuale lutja-poetike
e poetit të famshëm gjerman, Rilke:
Jepi, o Zot, secilit, vdekjen e vet, vdekjen
që nga jeta lulëzoi; nga jeta në të cilën çdo njeri, gëzimin e
vuajtjen provoi.
Por ka edhe më: është edhe vdekja sipas dëshirës, pasojë
e kulturës së vdekjes e cila vijon të përhapet për shkak të jetës së papërgjegjshme,
që i kundërvihet vetë jetës, në të cilën mbretëron droga, shpejtësia e çmendur, netët
me dehje ndër diskoteka… Vjen pastaj vdekja e dëshpëruar e njeriut që jeton pa
shpresë. Vetëm vdekja e krishterë përshkohet nga vetëdija e kalimit në jetën e
pasosur, është plot me shpresën e njeriut që e lëshon plotësisht e përfundimisht veten
në duart e Atit Hyjnor, i sigurtë se do të ringjallet.