2008-11-11 13:35:55

Krishterimi pa Ngjalljen e Krishtit do të ishte pa kuptim.


(05.11.2008 RV)Të dashur vëllezër e motra,“Në se Krishti nuk u ngjall, predikimi ynë është i kotë, si e kotë është edhe feja jonë... e ju jeni gjithnjë në mëkate tuaja”(1 Kor 15, 14.17). Me këto fjalë të forta në Letrën e parë drejtuar Korintianëve, Shën Pali thekson rëndësinë vendimtare që ka për të ngjallja e Krishtit.
Në këtë ngjarje gjejmë zgjidhjen e problemit të shtruar nga drama e Kryqit. Vetëm Kryqi nuk do të mund ta shpjegonte fenë e krishterë, madje do të mbetej tragjedi, që do të tregonte se jeta është krejt pa kuptim. Misteri i Pashkëve duhet parë në faktin se ky i Kryqëzuar u ngjall në të tretën ditë, sipas Shkrimeve (1 Kor 15,4) - kështu dëshmon tradita parakristiane. E këtu është edhe çelësi i kristologjisë së Shën Palit: gjithçka sillet rreth kësaj qendre gravitacionale. Mësimi i Shën Palit Apostull niset nga e arrin gjithnjë tek misteri i Atij që Ati e ngjalli nga vdekja. Ngjallja është një e dhënë themelore, gati-gati një aksiomë paraprake (cfr 1 Kor 15,12), mbi bazën e së cilës Pali mund ta formulojë kumtimin e tij (kerygma) sintetik: Ai që u kryqëzua e që e dëshmoi kështu dashurinë e pakufishme të Hyjit për njeriun , u ngjall e është i gjallë mes nesh.

Ka shumë rëndësi të kuptohet lidhja ndërmjet kumtimit e ngjalljes, ashtu si e formulon Pali, e asaj që përdorej në bashkësitë e para të krishtera para Shën Palit. Këtu mund të shikohet vërtetë rëndësia e traditës që i paraprin Apostullit e që ai, me respket e vëmendje të madhe, dëshiron t’ua dorëzojë të tjerëve. Teksti mbi ngjalljen, që përfshihet në kapitullin 15, 1-11 të Letrës së parë drejtuar Korintianëve, vë mirë në dukje lidhjen ndërmjet ’marrjes’ e ‘përcjelljes’. Shën Pali i jep shumë rëndësi formulimit fjalë për fjalë të traditës; në përfundim të fragmentit që merr në shqyrtim, nënvizon: “Ndërkaq, si unë, si ata, kështu kemi predikuar e kështu kemi besuar” (1 Kor 15,11), duke vënë kështu në dukje unitein e kerigmës, të kumtimit për të gjithë besimtarët e për të gjithë ata që do ta kumtojnë ngjalljen e Krishtit. Tradita me të cilën rilidhet, është burimi prej nga e merr atë që ritransmeton. Origjinaliteti i kristologjisë së tij nuk e cënon kurrë besnikërinë ndaj traditës. Kerigma e Apostujve i paraprin gjithnjë përpunimit personal nga ana e Palit; çdo argumentim i tij përkon me traditën e përbashkët, në të cilën shprehet feja, e pranuar nga të gjitha Kishat, që janë një Kishë e vetme. E kështu Shën Pali jep një model të vlefshëm për të gjitha kohët lidhur me mënyrën si duhet bërë teologjia e si duhet predikuar.
Teologu, predikatari, nuk krijon vizione të reja të botës e të jetës, por është në shërbim të së vërtetës së transmetuar, në shërbim të faktit real të Krishtit, të Kryqit, të Ngjalljes. Detyra e tij është të japë ndihmesën që sot, pas fjalëve të lashta, të kuptohet realiteti i “Hyjit me ne”, domethënë realiteti i jetës së vërtetë.

E këtu është e nevojshme të saktësojmë: Shën Pali, në kumtimin e ngjalljes, nuk shqetësohet të paraqesë një shtjellim doktrinor organik - nuk e ka ndër mend të shkruajë një doracak teologjie - por e përballon temën duke iu përgjigjur dyshimeve dhe pyetjeve konkrete që i bënin besimtarët; ishte pra, një bisedë rastësore, por plot me fe e me teologji të jetuar. Në të vërehet përqendrimi tek ajo që është themelore: ne të gjithë u ‘shfajsuam’, domethënë u bëmë të drejtë, u shëlbuam, nga Krishti, që vdiq e u ngjall për ne. Del në pah sidomos, fakti i ngjalljes, pa të cilin jeta e krishterë do të ishte krejtësisht e kotë. Në atë mëngjes Pashkësh ndodhi diçka e jashtëzakonshme, diçka e re e njëkohësisht shumë konkrete, e shoqëruar me shenja tepër të sakta, të vërtetuara nga një mori dëshmitarësh. Edhe për Palin, ashtu si për autorët e tjerë të Besëlidhjes së Re, ngjallja lidhet ngushtë me dëshminë e atyre që e njohën nga afër të Ngjallurin. Është fjala për të parë e për të ndjerë jo vetëm me sy e me shqisa, por edhe me dritën shpirtërore, që të bën ta njohësh atë, që shqisat e jashtme e vërtetojnë si të dhënë objektive. Prandaj Pali - ashtu si katër Ungjijtë - i jep rëndësi të dorës së parë temës së dukjeve, të cilat janë kusht themelor për të besuar në të Ngjallurin, që e la varrin bosh. Këto dy fakte janë tepër të rëndësihme: varri i zbrazur e Jezusi që u duk me të vërtetë. Krijohet kështu zinxhiri i traditës e cila, përmes dëshmisë së Apostujve e të dishepujve të parë, arrin tek breznitë e mëvonshme, e deri tek ne. Pasoja e parë ose mënyra e parë për ta shprehur këtë dëshmi, është ta predikosh ngjalljen e Krishtit si përmbledhje të kumtimit ungjillor e si pikë kulmore të rrugës shëlbuese. Këtë Pali e bën në raste nga më të ndryshmet: mund të shfletohen Letrat dhe Veprat e Apostujve në të cilat duket qartë se gjëja themelore për të është të jetë dëshmitar i ngjalljes. Dëshiroj të citoj vetëm një tekst: Pali, i arrestuar në Jeruzalem, ndodhet para Sinedrit, si i akuzuar. Në këtë rrethanë, kur vihet në lojë vetë jeta e tij, ai tregon cili është kuptimi e cila përmbajtja e gjithë predikimit të vet: “Unë jam thirrur në gjyq, për arsye të shpresës në të ngjallur prej së vdekurish”. (At 23, 6). Të njëjtin refren Pali e përsërit vazhdimisht në Letrat (cfr 1 Sel 1,9s; 4,13-18), në të cilat kujton edhe përvojën e tij vetjake, takimin vetjak me Krishtin e ngjallur. (cfr Gal 1,15-16; 1 Kor 9,1).

Por mund të na lindë pyetja: ç’kuptim ka për Shën Palin ngjarja e ngjalljes së Jezusit? Ç’na thotë ne, pas dymijë vjetësh? A është aktual edhe për ne pohimi ‘Krishti u ngjall?’. Pse ngjallja për të e edhe për ne është një temë kaq vendimtare? Pali i jep solemnisht përgjigje kësaj pyetje në fillim të Letrës drejtuar Romakëve, të cilën e nis duke kujtuar: “Ungjillin e Hyjit.. mbi të Birin e vet, të lindur prej fisit të Davidit simbas natyrës njerëzore, të caktuar që prej amshimit Bir i Hyjit në fuqí të Shpirtit Shenjtnues nëpërmjet të ngjallurit prej së vdekurit (Rom 1, 3-4. Pali e di mirë dhe e thotë shumë herë se Jezusi ishte Biri i Hyjit gjithnjë, që në çastin kur u mishërua. Risia e ngjalljes qëndron në faktin se Jezusi, i lartuar nga përvujtëria e jetës së tij tokësore, caktohet si Bir i Hyjit, ‘me pushtet’. Jezusi i përulur deri në vdekje të kryqit, mund t’u thotë tani të Njëmbëdhjetëve: “Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë (Mt 28,18). Realizohet ajo që thotë Psalmi 2, 8: “ Prej mejet lyp e kam për të dhënë në trashigim fiset, e në zotërim, kufijtë e tokës”. Prandaj me ngjalljen Ungjilli i Krishtit fillon t’u kumtohet mbarë popujve - fillon Mbretëria e Zotit, kjo mbretëri e re që nuk njeh pushtet tjetër, përveç atij të së vërtetës e të dashurisë. Ngjallja zbulon kështu përfundimisht identitetin e vërtetë dhe madhështinë e jashtëzakonshme të të Kryqëzuarit. Dinjitet i pakrahasueshëm e tejet i lartë: ‘Jezusi është Zot!’.
Per Shën Palin identiteti i fshehtë i Jezusit, më shumë se në mishërim, zbulohet në misterin e ngjalljes. Ndërsa titulli Krisht, dmth ‘Mesi’, ‘i lyer me vaj të shugurimit’, tek Pali ka prirjen të bëhet emër i përveçëm i Jezusit, emri Zot tregon lidhjen e tij vetjake me besimtarët e titulli Biri i Hyjit shërben për të shpjeguar lidhjen e thellë të Jezusit me Hyjin, lidhje që zbulohet plotësisht në ngjarjen e Pashkëve. Mund të thuhet kështu se Jezusi u ngjall për të qenë Zot i të vdekurve e i të gjallëve (cfr Rom 14,9 e 2 Kor 5,15) ose, me fjalë të tjera, Shëlbuesi ynë (cfr Rom 4, 25).

 
E gjithë kjo na çon në përfundime shumë të rëndësishme për jetën tonë të fesë, sepse jemi të thirrur të marrim pjesë me gjithë shpirt në ngjarjen e vdekjes e të ngjalljes së Krishtit. Thotë Apostulli: “Kemi vdekur me Krishtin’ e besojmë edhe se me të ‘kemi për të jetuar’, duke e ditur se Krishti i ngjallur nga të vdekurit, nuk vdes më; vdekja nuk ka më pushtet mbi të”. (Rom 6, 8-9). Kjo na kujton se duhet të marrim pjesë në mundimet e Jezusit, që i paraprijnë kohës së lume, kur do të jemi plotësisht të ngjashëm me Të përmes ringjalljes, drejt së cilës synojmë me shpresë. E kjo i ndodhi edhe Shën Palit, pervoja personale e të cilit përshkruhet në Letrat me tone sa të trishtueshme, aq edhe realiste: “.. me qëllim që të mund ta njoh Atë, të njoh pushtetin e të ngjallurit të Tij e pjesëmarrjen në mundime të Tija, duke i përgjarë vdekjes së tij, për të mbërrijtë, së mbramit, në ngjalljen prej të vdekurve” (Fil 3,10-11; cfr 2 Tim 2,8-12). Teologjia e Kryqit nuk është teori – është realitet i jetës së krishterë. Të jetosh në fenë e Jezu Krishtit, të jetosh vërtetësinë e dashurinë, nënkupton vetmohimin e përditshëm, nënkupton vuajtjet. Krishterimi nuk është udhë e rehatisë, përkundrazi, është ngjitje e vështirë, e ndriçuar nga drita e Krishtit e nga shpresa e madhe që lind prej Tij.
Shën Agostini thotë: të krishterëve nuk u kursehet vuajtja, madje u takon pak më tepër se të tjerëve, sepse të jetosh fenë, do të thotë të kesh guxim ta përballosh më në thellësi jetën e historinë. Gjithsesi vetëm kështu, duke e provuar vuajtjen, e njohim thellësisht jetën, me bukurinë e saj e me shpresën që na ngjall Krishti i kryqëzuar e i ngjallur. Besimtari ndodhet ndërmjet dy skajeve: nga njëra anë ringjallja, që në një farë mënyre vepron tashmë në ne (cfr Kol 3,1-4; Ef 2,6); nga ana tjeter, nxitimi për t’u radhitur në këtë proces, që i çon të gjithë e gjithçka drejt përsosurisë, përshkruar në Letrën drejtuar Romakëve, me një figurë të shkëlqyer: ashtu si mbarë krijesa rënkon e vuan deri më sot porsi në dhimbje të lindjes; edhe ne, që kemi farën e Shpirtit (Shenjt), rënkojmë brenda vetes në pritje që të njihemi si bij në shpirt me anën e shpërblimit e të ringjalljes së korpit tonë. (cfr Rom 8, 18-23).

 
Përmbledhtas, mund të themi me Palin se besimtari i vërtetë arrin të shëlbohet duke shpallur me gojë të vet se Jezusi është Zoti e duke besuar me zemër të vet se Hyji e ngjalli prej së vdekurish (cfr Rom 10,9). E rëndësishme është sidomos zemra, që beson në Krishtin e që në fe ‘e prek’ të Ngjallurin; por nuk mjafton ta mbajmë fenë në zemër, duhet ta pohojmë e ta dëshmojmë me gojë, me jetën tonë, duke e bërë kështu të pranishme të vërtetën e Kryqit e të ngjalljes në historinë tonë. Në këtë mënyrë i krishteri bën pjesë në atë proces, falë të cilit Adami i parë, tokësor, që i nënshtrohet prishmërisë dhe vdekjes, shndërrohet në Adamin e fundit, qiellor, që s’e njeh prishmërinë. (1 Kor 15,20-22.42-49). Ky proces nisi me ngjalljen e Krishtit, në të cilin mbështetet shpresa se një ditë do të mund të hyjmë edhe ne, me Krishtin, në atdheun tonë të vërtetë, që është në Qiell. Me këtë shpresë në zemër vijojmë me guxim e me gëzim.  








All the contents on this site are copyrighted ©.