2008-11-11 15:22:25

Konferencë ndërkombëtare në Vatikan për baritorinë në mjekimin e fëmijëve të sëmurë: intervistë me kardinalin Lozano Barragan.


(11.11.2008 RV)RealAudioMP3 Sot paradite në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë u paraqit Konferenca XXIII ndërkombëtare, organizuar nga Këshilli Papnor për baritorinë e shëndetit, me temë: “Baritoria në mjekimin e fëmijëve të sëmurë”, që do të mbahet në Vatikan më 13 deri më 15 nëntor. Qëllimi i Konferencës është të punojë për një ardhmëri plot shpresë për shumë vocrrakë, viktima të sëmundjeve të ndryshme në vitet e para të jetës. Do të shkëmbehen mendime posaçërisht për problemin e vdekshmërisë së fëmijëve, duke pasur mirë parasysh se akoma sot, çdo vit, 4 milionë të posalindur vdesin në 26 ditët e para të jetës. Por, është hera e parë që përballohet kjo temë? Të dëgjojmë kardinalin Havier Lozano Barragan, kryetar i Këshillit Papnor për baritorinë e shëndetit:

Përgjigje: - Në një mënyrë kaq të përcaktuar nuk është përballuar asnjëherë; është folur për këtë problem, por duke e parë në përgjithësi, duke e prekur ndërmjet temave të tjera, për shembull asaj të SIDËS, të depresionit, të lidhjes së sëmundjes me ekonominë… Gjithë këto tema janë diskutuar në Konferencat e mëparshme. Këtë herë do të trajtohet ky argument, sepse është zgjedhur nga Ati i Shenjtë: ai personalisht na kërkoi ta trajtojmë në mënyrë të veçantë temën e baritorisë në mjekimin e fëmijëve të sëmurë. E kjo, sepse kemi miliona fëmijë të sëmurë: dy milionë e gjysëm janë vetëm fëmijët e sëmurë nga SIDA, e transmetuar prej prindërve, e pastaj janë edhe një mori sëmundjesh të tjera. Nuk do të flasim për mënyrën e mjekimit të fëmijëve, kjo u takon mjekëve: puna jonë ka të bëjë me kujdesin baritor, me ungjillëzimin e fëmijës së sëmurë. E ky është një problem urgjent.

Pyetje: - Do të marrin pjesë edhe specialistë nga mbarë bota, specialistë të mëdhenj. Ç’kritere u ndoqën për zgjedhjen e pjesëmarrësve e për përcaktimin e temave të diskutimeve të tyre? Ç’është parësore për dikasterin?

Përgjigje: - Është realiteti, mendimi, veprimi: tri hapësira që duhet t’i mbulojmë plotësisht. Cili është realiteti i fëmijëve të sëmurë e veprimtaria baritore që zhvillohet me ta? Ç’thotë Fjala e Zotit mbi këtë argument? E, sidomos, ç’duhet të bëjmë ne? Në kuptimin se nuk është dikasteri ai, që duhet të veprojë drejtpëdrejtë: në të vërtetë ne jemi një lloj ‘krahu’ i Atit të shenjtë, që zgjatet për të orientuar, për të koordinuar e për të promovuar ungjillëzimin. Ndërsa në realitet, në mendim e në veprim fjala u takon specialistëve. Ne vëmë në dispozicion gjithçka të mirë që gjindet në çastin aktual lidhur me këto argumente.

Pyetje: - A ka ndonjë aspekt të posaçëm të kësaj teme, për të cilin ju dëshironi të flisni? Diçka që ju prek në mënyrë të veçantë, që dëshironi të tingëllojë si mesazh?

Përgjigje: - Ajo që kam më për zemër, është ungjillëzimi, e jo vetëm asistenca: duam të kuptojmë si mund ta bëjmë konkretisht mjekimin e lumturisë e të shëndetit, që pastaj lulëzon në shëlbimin e amshuar. Domethënë, si t’i lemë fëmijët të afrohen te Jezusi e të mos i pengojmë. Sepse mund të pengohen, për shembull përmes psikologjisë: psikologjia ndihmon shumë për të kuptuar moshën evolutive, për të kuptuar fëmijën, po. Por nganjëherë psikologjia mund të na largojë nga Krishti. E atëherë? “Lërini fëmijët të vijnë tek unë!”. Kjo më intereson më shumë se të gjitha!

Pyetje: - Dihet se Kisha, strukturat e Kishës, janë në vijë të parë të frontit në asistencën e të sëmurëve, fëmijë e të rritur. Por nganjëherë të krijohet përshtypja se opinioni publik nuk e di sa kapilare është veprimtaria e Kishës, edhe në rastin e disa sëmundjeve, si SIDA. Mendoni se duhet të njihet më mirë kjo veprimtari?

Përgjigje: - Po, është e nevojshme të njihet më mirë; por unë kam përvojën e disa vendeve në të cilat vepron Kisha, në kuptimin se nuk dëshirohet që opinioni publik të njihet me atë, që po bën Kisha. Po jap një shembull: SIDEN. Ne kemi në botë 27% të të gjitha qendrave për mjekimin e të sëmurëve, përballë 44 % të qendrave që mbahen nga qeveritë, e pastaj vijnë organizatat, si ato jo qeveritare, me 11 % dhe ato të emërtimeve të ndryshme fetare, me 8%. Por ekziston prirja për të mos e njohur këtë veprimtari. Thuhet vetëm se, përsa i përket SIDES, Kisha ka shumë përgjegjësi, sepse i kundërvihet përdorimit të profilaktikut. Shkaku është gjithnjë i njëjtë: ka entitete të cilave, për arsye nga më të ndryshmet, ndoshta edhe për interesa, nuk u leverdis të njihet botërisht ç’po bën Kisha katolike për zona të ndryshme të botës: duhet menduar se vetëm përsa i takon SIDES, Kisha ka 114 qendra asistence shëndetësore në mbarë botën.







All the contents on this site are copyrighted ©.