2008-11-11 15:22:43

Imzot Bruges në Nuremberg: më shumë përpjekje për ta çliruar njeriun nga fantazmat e racizmit e të ksenofobisë.


(11.11.2008 RV)“Të dyfishohen përpjekjet për ta çliruar njeriun nga fantazmat e racizmit, të shtypjes, të ksenofobisë”. Ky është një nga fragmentet e fjalimit që mbajti imzot Zhan-Lui Bryges, sekretar i Kongregatës për Edukimin Katolik gjatë seminarit IV, organizuar nga Këshilli i Evropës me pjesëmarrjen e ministrave të arsimit të vendeve nënshkruese të Konventës Kulturore Evropiane. Takimi, me temë “Të mësojmë kujtesën, për të jetuar në Evropën e lirisë e të së drejtës’, u mbajt në Nuremberg e në Dakau më 5 deri më 7 nëntor.Vlera e detyra e kujtesës ishin në qendër të vëmendjes në fjalimin që mbajti imzot Bryges në Nuremberg, vend simbol i ngjarjeve dramatike si mbledhjet e mëdha të nazistëve, por edhe proceset gjyqësore të atyre, që u njollosën me krime të rënda kundër njerëzimit. Fakte – tha prelati – që flasin për dramën e një epoke, në të cilën u shkel nën thundrën naziste vetë dinjiteti i njeriut. Prandaj Selia e Shenjtë i vlerëson lart të gjitha nismat, që vijojnë t’i kujtojnë këto ngjarje të errëta, duke i parë si thirrje për përgjegjësi në ndërtimin e së sotmes e të së nesërmes së Evropës. Pikërisht drejtësia e liria – nënvizoi sekretari i Kongregatës për Edukimin Katolik – janë themelore për të shmangur rrezikun e përsëritjes e regjimeve totalitare, që nuk e respektojnë njeriun. Një rrezik i tillë do të ishte gjithnjë i mundshëm, në se do të mungonte pasioni për drejtësinë e lirinë, si edhe impenjimi për të kujtuar atë, që i ndodhi miliona bijve të popullit hebraik. Për më tepër – tha imzot Bryges - duhen dyfishuar përpjekjet për të liruar njeriun nga fantazmat e racizmit, të përjashtimit, të shypjes, të skllavërimit e të ksenofobisë. Këto të këqija minojnë themelet e bashkëjetesës njerëzore. Detyra e kujtesës duhet të vijojë t’i tundë zemrat e mendjet, për ta njohur të keqen e për t’a refuzuar, duke na ngjallur guximin të luftojmë për të mirën e për t’iu kundërvënë së keqes. E kjo detyrë gjen shprehjen e vet në përpjekjen për ta bërë njeriun sa më njerëzor, duke kontribuar kështu në ndërtimin e një Evrope më solidare e më demokratike, që respekton larmitë e është e vetëdijshme për dinjitetin e saj.







All the contents on this site are copyrighted ©.