2008-11-11 15:22:56

Atë Picabala, Rojtar i Tokës Shenjte, mbi shkandullin e grindjes ndërmjet të krishterëve pranë Varrit të Shenjtë.


(12.11.2008 RV)RealAudioMP3 Mbetet e nderë situata në Jeruzalem, pas tensioneve ndërmjet murgjërve armenë e greko-ortodoksë, që përfunduan në rrahje në Bazilikën e Varrit të Shenjtë. Ndeshja nisi gjatë kremtimit të përvitshëm të rigjetjes së Kryqit të Jezusit, që sillet me procesion nga murgjërit armenë, të bollokuar pastaj, nga një murg ortodoks, pak para se të arrinin në Edikola, siç quhet struktura ku ndodhet Varri i Krishtit. Një atmosferë, që tregon qartë se bashkëjetesa nuk është aspak e lehtë.
Por, të dëgjojmë komentin e Atë Pierbatista Picabalës, Rojtar i Tokës së Shenjtë, për këtë ngjarje të shëmtuar:

Përgjigje: - Ne, për fat të keq, jemi mësuar me situata të tilla, që gjithsesi, sa herë që përsëriten, na trondisin e na shqetësojnë thellësisht, sepse ajo që ndodh është anakronike. Megjithatë, mund edhe të ndodhë. Është e vërtetë se në Jeruzalem e kaluara nuk kalon kurrë, por nuk duhet harruar edhe se gjithçka ka një kufi e ky kufi u kapërcye përtej çdo mase.

Pyetje: - Shumkush e jeton si shkandull atë që ndodhi në një vend të shenjtë, i cili duhet të jetë pikërisht vendi i unitetit…

Përgjigje: - Po, është vërtetë shkandull, sepse duhet t’i quajmë sendet me emrin e vet. Sot konfliktet e keqkuptimet, që janë të pashmangshme në mjediset tona, nuk mund të kapërcehen me dhunë, absolutisht jo! Si mund të na besojnë, pastaj, kur ne, të krishterët, i ftojmë të gjitha palët, sidomos izraelitët e palestinezët për të dialoguar, ndërsa vetë bëjmë gjëra të tilla? Pasi e thamë këtë, duhet të shtojmë edhe se kulturat këtu janë shumë të ndryshme e është e vërtetë edhe se bashkimi është realitet që e dëshirojmë, por që nuk ekziston akoma. Sepse këtu, për shumë arsye, mjaftojnë ca ngacmime fare të vogla, për t’i fryrë zjarrit të moskuptimit. Uroj vetëm që ky episod kaq shkandullues, t’i shtyjë të gjithë të bëjnë një hap mbrapa. E ne e kemi për detyrë të ndihmojmë edhe për këtë hap, posaçërisht ndërmjet tri konfesioneve kryesore: greko-ortodokse, katolike-me françeskanët e armeno ortodokse, pa harruar edhe tri kishat e tjera: koptët, sirianët e etiopët. Problemet lindin në zonën e Edikolës, strukturës ku ndodhet Varri i Krishtit, e Rotondës, zonës që rrethon Varrin, mbi të cilën lartohet kupola, zona që u përkasin të gjithëve. Lindin edhe kur kremtohen liturgjitë, lidhur me radhën e kremtimit e të vendit ku kremtohet. Për këtë nuk ka një ligj të shkruar, sepse kremtimi bazohet në një tërsëi zakonesh, të cilat kohët e fundit po interpretohen në mënyra të ndryshme nga dy bashkësitë.

Pyetje: - Urimi juaj?

Përgjigje: - Urimi im është që, me realizëm të shëndetshëm të krishterë, siç e quaj unë, mosmarrëveshjet të zgjidhen duke folur së bashku, e jo me forcë.







All the contents on this site are copyrighted ©.