2008-11-11 15:24:36

Atë Leon Kabashi OFM, në 10 vjetorin e vdekjes


(11.11.2008 RV)RealAudioMP3 Në varrezën katolike të Rrëmajit në Shkodër, vizitorit i bie menjëherë në sy një parcelë, në të majtë të kapelës, në krye të cilës lexon: ‘Vllazënt françeskanë’. Është vendvarrimi i dytë i françeskanëve shqiptarë, pas vendvarrimit në kriptën e Kishës françeskane të Gjuhadolit. U hap kur Kisha u kthye në Pallat Kulture e kripta u mbush me dhe, për të zhdukur çdo gjurmë të varreve të fretërve. Më pas françeskanët e rikthyer në mjediset e tyre, i nxorën një nga një eshtrat e sivëllezërve e i rivarrosën, ndonëse pa emër. E varreza e tretë është Kapela, pranë Kishës së Zojës Rruzare, që u hap për herë të fundit për të pritur trupin pa jetë të Atë Shtjefën Pistullit, një nga françeskanët e fundmë të breznisë së martirizuar.
Ndërsa françeskani që po kujtojmë sot, Atë Leon Kabashi, pushon në paqe në Varrezën e Rrëmajit, pranë sivëllezërve të mirënjohur për shenjtëri e kulturë, si Atë Aleks Baçli e Atë Viktor Volaj.
I lindur në Shkodër më 25 mars 1906, kreu studimet në Liceun ‘Illyricum’ në vitin shkollor 1927-28. Ishte njëri nga maturantët e parë. U nis, pastaj, për në Sienë, ku vijoi studimet për filozofi e teologji e më pas edhe për pikturë. Jetë e ngarkuar me veprimtari ajo e Atë Kabashit, që mbajti në një dorë Hosten, si meshtar; penën, si profesor i liceut ‘Illyricum’ e sekretar i Atë Gjergj Fishtës; librin, si drejtori i parë i Bibliotekës françeskane e penelin, si një ndër piktorët e parë të pikturës kishtare katolike shqiptare. Njihet për kujdesin që tregoi në ruajtjen e mozaikëve të lashtë të Kishës së Rubikut e për veprat që realizoi në Katedralen e Shkodrës, në Rubik e në Lezhë, të gjitha të zhdukura nga rrebeshi komunist. Mbeti kështu piktor pa vepra, por vijoi të ishte meshtar me vepra të mëdha. Kujtohet për shumë fillime, duke nisur që nga Mesha e parë që kremtoi mbi gërmadhat e Kishës së Shëna Ndout në Laç më 1990, e pastaj në Kishën françeskane, të sapo kthyer në duart e të zotëve. Mbylli sytë më 11 nëntor 1998, në duart e françeskanëve të rinj, duke parë si lulëzonte përsëri provinca e Zojës Nunciatë, së cilës ia kushtoi veprat e humbura e ato që nuk humbasin kurrë.








All the contents on this site are copyrighted ©.