365 ditë: "Luizë Mone, gruaja që mori pjesë në Koncilin II të Vatikanit".
(11.11.2008 RV)Emri i Luizë Mone
sot është pak i njohur, ndonëse vepra që themeloi pati një vlerë të jashtëzakonshme.
Vëllai i saj njihet shumë më tepër: e kemi fjalën për Zhan Mone, partizan guximtar
e themelues i Evropës! Luizë Mone lindi në një familje borgjeze në Konjak, qytet
në Francën perëndimore, ku mori edukatë thellësisht të krishterë. Në prehërin e ngrohtë
të familjes e mësuan t’ia hapte zemrën gjithë botës. Në moshën nëntëmbëdhjetë
vjeçare shkoi në Lurdë, për të marrë pjesë në një miting të Rinisë së Krishterë Punëtore,
shoqatë në të cilën merrnin pjesë një numër i madh të rinjsh punëtorë, që e jetonin
së bashku përvojën e fesë së krishterë. Për Luizën, ky ishte një çast tepër i rëndësishëm.
Kuptoi se feja e krishterë nuk duhet përtëritur vetëm në mjediset punëtore, por edhe
në ato borgjeze. Kështu vendosi të themelonte një shoqatë për njerëzit që nuk bënin
pjesë as në botën punëtore, e as në atë fshatare: mund të themi se bëhej fjalë për
një grupim, kushtuar mjediseve ‘të pavarura’. Prandaj shoqata e themeluar më 1935
nga Luizë Mone u quajt Rinia e Pavarur Femërore Kristiane. Në të merrnin pjesë vajza
borgjeze, nga mosha katërmbëdhjetë, deri në moshën njëzet e tetë vjeçare. Më pas portat
u hapën edhe për të rritur, burra e gra. Lindi, kështu, Veprimi Katolik i mjedisve
të Pavarura: VKP. Luizë Mone dëshironte të ndërtonte një botë më të mirë e më të drejtë:
për ta bërë këtë, duhej ndryshuar sa mendësia e njerëzve, aq edhe mënyra e jetesës
së tyre. Në VKP organizohen takime me grupe të vogla, ku secili reflekton për jetën
e vet, duke e ballafaquar me Ungjillin. Është një metodë që bën mrekulli. Duke u treguar
të tjerëve jetën e përditshme, Marku, burrë i martuar e me fëmijë, e kupton se të
rrish në zyrë deri vonë, do të thotë të harrosh se duhet t’i kushtosh vëmendjen e
duhur edhe gruas e fëmijëve. Që nga ky çast, nis të kthehet në shtëpi më shpejt. Një
tjetër, Zhani, pasi diskuton në grup për mënyrën si i shpenzon paratë, vendos ta
paguajë më shumë gruan që i pastron shtëpinë. VKP është plot me histori të kësaj natyre,
me shndërrime të vogla të jetës së njerëzve, të cilat pak nga pak e bëjnë botën më
të bukur e më të drejtë. Në vitin 1964, për herë të parë në histori, disa gra
pranohen si dëgjuese në një koncil: më në fund mund të dëgjohet edhe zëri i grave.
E para ndërmjet njëmbëdhjetë grave, që ftohen nga Pali VI, është Luizë Mone, e cila
merr pjesë me bindjen se në frymën e Koncilit II të Vatikanit, të gjithë besimtarët,
të shuguruar e laikë, do të gjejnë vendin e tyre në Kishë.