2008-11-10 18:03:26

365 ditë: "Pierr Gursà themelon lëvizjen e ‘Përtëritjes’ shpirtërore".


(10.11.2008 RV)RealAudioMP3 Jemi në vitin 1933. Në spitalin e rrafshnaltës së Asit, në jug-lindje të Francës, ku mjekohen të sëmurët nga tuberkulozi, dy infermiere shkëmbjenë dy fjalë me njëra tjetrën:
“Në sa po kaloja në korridor, pashë Pierr Gursà. I gjori djalë. Dukej aq i trishtuar, sa më erdhi tejet keq për te”.
“Po, e marr me mend. Sot në mëngjes mbylli sytë përgjithmonë vajza me të cilën kalonte gjithë kohën, mikesha e tij, ndoshta e fejuera. I mjeri djalë, me mushkëri të sëmura e me zemër të copëtuar, pa i mbushur mirë të nëntëmbëdhjetat”.
Epiteti më i mirë, që mund të përdorej këtë çast për Pierrin, ishte ‘i dëshpëruar’. Shikonte pa lëvizur fare, nga dritarja, Malin e Bardhë, qiellin e kaltër, dëborën e virgjër të majave, që nuk shkrin kurrë. Një bukuri që të rrëmbente shpirtin! E dikur ia rrëmbente vërtetë. Po jo tani. Tani s’i hyn asgjë në sy. Aq më pak bukuria e maleve të largëta, të akullta, si zemra e tij! Tani e kishte radhën ai.. Do të vdiste... Po ndërsa mendonte kështu, dëgjoi një zë të njohur. Ishte ai i të vëllait, vdekur në moshën nëntë vjeçe, kur Pierr sapo i kishte mbushur dhjetë. Zëri i thoshte: “Ti nuk mendon më për mua, as për të tjerët, sepse zemra e jote është bërë gur”.
Pierr hovi nga krevati. Në një të rrahur qerpiku, kjo frazë misterioze e shndërroi krejtësisht. Rigjeti dashurinë për jetën, besimin në Zotin, shpresën për të ardhmen. Filloi, atëherë, luftën kundër tuberkulozit, u shërua, u kthye në Paris e nisi të punonte në kinema. Nuk u martua, por nuk u bë as prift: Zoti s’ e thirri për këtë rrugë. Atëherë, ç’dëshironte Zoti prej tij?
Në vitin 1971 mori përgjigjen e kësaj pyetjeje. U hodh me me mish e shpirt në aventurën e madhe të jetës së tij. Ishte pesëdhjetë e nëntë vjeç, kur njohu një lëvizje të krishterë me emrin ‘Përtëritje’. Lëvizja përfshinte grupe të lutjes, në të cilat tubohesin meshtarë e murgesha, por edhe familje e njerëz të pamartuar: mund të merrte pjesë gjithkush. Anëtarët e lëvizjes së Përtritjes i luten në mënyrë të posaçme Shpirtit Shenjt, që Hyji e dërgoi në botë: besojnë se kur vepron në zemrat e njerëzve, bota bëhet më e mirë.
Në vitin 1972, së bashku me studenten Martinë Lafitë, Pierr themeloi Bashkësinë e Emanuelit, në të cilën bëjnë pjesë të krishterë, që duan t’ia dhurojnë jetën Zotit, pa qenë meshtarë ose murgesha. Luten së bashku e u flasin për Zotin njerëzve, që nuk e njohin, kudo jetojnë e punojnë. Për t’ia arritur qëllimit, përdorin të gjitha mjetet e komunikimit modern: në veprën e saj të ungjillëzimit, Bashkësia Emanuel vijon traditën e predikimit nëpër rrugë, por përdor edhe telefonin, videot, shtypin.Emanueli, që zgjodhi si qendër të vet kryesore qytezën franceze Parei dë Monial, pati menjëherë sukses të madh. Pierr Gursa vdiq më 1985, por Lëvizja e tij vijon të tërheqë turmat. Sot kjo bashkësi njihet në mbarë botën.







All the contents on this site are copyrighted ©.