2008-11-09 12:55:42

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar.


(09.11.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të dielën XXXII të Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar. Përkujtoi edhe Shugurimin e Bazilikës Lateranense, katedrale e Romës.
Të hënën do të përkujtohen Shën Leoni i Madh, Papë e doktor i Kishës dhe Shën Andreu, meshtar teatin. Na kujtojnë se duhet të kërkojmë çdo ditë fytyrën e Zotit!

Të marten është festa e Shenjtit që ndau përgjysëm mantelin me një të varfër, Martinit të Tur. Do të përkujtohet edhe Shën Bartolomeu, abat i Grotaferratës. Në festën e tyre - kujtojmë se Zoti nuk vonon t’i shpëtojë të drejtët.

Të mërkurën do të përkujtohet Shën Jozafati Kunçeviç, ipeshkëv e martir dhe Shën Diego, laik françeskan, që e lumnuan Zotin me gjithë jetën e tyre.

Në liturgjinë e së enjtes, në sa kremtojmë festën e Shën Nikollës I papë dhe Shën Agostinës Pierantoni, virgjër, të reflektojmë mbi madhështinë e mbretërisë së Zotit, në sa jetojmë në një kohë, së cilës i pëlqen më shumë të merret me mbretëritë e tokës.

Të premten, festa e Shën Shtjefnit nga Kuneo dhe e Shën Serapionit, ipeshkëv i Aleksandrisë, na kujton se vërtetë të lum janë ata që jetojnë sipas ligjit të Zotit.

Të shtunën Kisha na propozon shembullin e Shën Albertit të Madh, ipeshkëv e doktor i Kishës, domenikan dhe të Shën Jozef Pinjatelit, meshtar jezuit, në jetën e të cilëve, ashtu si të të gjithë të drejtëve, shkëlqeu mirësia e Zotit.
 E diela e ardhshme është e XXXIII e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, ndërsa vijon muaji nëntor, gjatë të cilit Kisha katolike përkujton gjithë të vdekurit.







All the contents on this site are copyrighted ©.