2008-11-09 12:55:57

365 ditë: "Madëlen Derbrel, dëshmitare e Krishtit ndërmjet komunistëve".


(09.11.2008 RV)Më 15 tetor 1933 tri gra të reja përgatiten për një udhëtim ‘në troje të huaja’. Gjithsesi, nuk kanë nevojë për pasaportë e as për biletë treni. Nuk duhet të kapërcejnë detin a xhunglat e panjohura... duhet të kapërcejnë vetëm një rrugë!
Madëlen Derbrel së bashku me dy shoqet e saj nisen drejt lagjeve të jashtme të Parisit, për të jetuar në anën tjetër... në rrethinat e qytetit. Zënë vend në Ivri-syr-Sen, ‘kryeqytet’ i komunizmit francez. Duan të fillojnë veprimtarinë e tyre misionare në zemër të qytetit ‘të kuq’, që banohet kryesisht nga punëtorë, shumica e të cilëve nuk besojnë fare në Zotin. Vendim i guximshëm, në një kohë kur për katolikët kumunizmi ishte vetë djalli i mallkuar. Po Madëlen nuk ka frikë nga djalli, prandaj as nga komunizmi. “Zoti nuk thotë t’i duash gjithë të afërmit si vëllezër.Të gjithë, por jo komunistët, të cilët duhet t’i urresh!” - i pëlqen të përsërisë vazhdimisht.
Kjo vajzë e ndjen veten kaq pranë punëtorëve ateistë, sepse edhe ajo vetë ka kaluar një periudhë të vështirë, në të cilën e pati humbur fare çdo lloj besimi. Në moshën 16 vjeçare besonte plotësisht se nuk kishte Zot, se Zoti kishte vdekur qëkuri! Por disa vjet më pas e rigjeti fenë e humbur, falë dëshmisë së të fejuarit, katolik i bindur, që më në fund vendosi të bëhet rregulltar domenikan. Vendimi që mori i fejuari, nuk e largoi përsëri nga Zoti, përkundrazi: feja e saj u bë më e fortë, më e lirë. Madje ia mbushi shpirtin me gëzim.
Shumë shpejt Madëlen e kuptoi se të bëhesh misionare në ‘zonat e komunistëve’, do të thotë të mos mbyllesh brenda famullisë. Në se dëshiron të ushtrosh ndikimin tënd mbi komunistët e t’ia arrish qëllimit, duhet të mësosh zakonet e jetës së tyre, gjuhën e tyre, idetë e ndryshimet ndërmjet tyre e besimtarit të krishterë.
Dy vjet pas arritjes së saj në Ivri, Madëlen u vendos në zemër të lagjes së kuqe si asistente shoqërore. Nuk u përpoq t’i kthejë punëtorët në fenë e saj. U kufizua të jetojë si burrat e gratë që e rrethonin e, në pak kohë, fitoi besimin e të gjithëve. Madje arriti të bëhet mike e zevendës-kryetarit të bashkisë së Ivrisë i cili, ndonëse ateist, ia respektonte bindjet fetare. Nga ana e saj, Madëlen mbështeste luftën e komunistëve për më shumë drejtësi shoqërore. Prandaj vendosi të bashkëpunojë me ta. Sigurisht jo në emër të ideologjisë së tyre, por në emër të Krishtit, që i do të gjithë njerëzit dhe e dëshiron lumturinë e tyre.Në Ivri Madelenë arriti të prekë shumë zemra, jo me fjalë, se fjalëve u beson pak kush, e aq më pak komunistët, por me dëshminë e një jete të thjeshtë, të vënë në shërbim të të tjerëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.