2008-11-08 17:13:56

365 ditë: "Pierr Tejar dë Shardë: aventura e Sitroen"


(08.11.2008 RV)Këta zotërinj ndjehen të lumtur që më në fund mund të mblidhen në një Kishë të humbur, në zemër të Kinës. Aventura e tyre është në përfundim e sipër. Morën pjesë në Shtegtimin e verdhë, një ekspeditë e organizuar në vitin 1931 nga Sitroen, ndërmarrje që prodhonte automobilë. Ekspedita do të nisej nga Franca e do të arrinte deri në Kinë për të provuar rezistencën e zinxhirëve të rrotave. Gjithë bota e ndoqi me interes këtë udhëtim të jashtëzakonshëm përmes shketëtirave, vendeve në luftë, lumenjve, maleve. Pas një vit udhëtimi në kushte të pabesueshme, pjesëmarrësit, nga mekanikët tek shkencëtarët e regjisorët kinematografikë, janë bërë miq të ngushtë. E tani janë mbledhur rreth një elteri, para ‘famullitarit’ të tyre të dashur, Pierr Tejar dë Shardë.
Një vit më parë, kur mësuan se në ekspeditë do të merrte pjesë edhe një meshtar, shtrembëruan buzët. S’kishin aq shumë nevojë për predikime! Po shumë shpejt do të shikonin se Pierr Tejar dë Shardë nuk ishte ashtu si kujtonin. Përveçse meshtar, ai ishte edhe shkencëtar. Madje një nga specialistët më të mirë në botë të gjeologjisë (që merret me studimin e tokës) e të paleontologjisë (që studion parahistorinë). Tani ekspedita parashikonte dhe realizmin e kërkimeve shkencore në këto udhë të gjata, që njeriu nuk i kishte studiuar asnjëherë më parë.
Pjesëmarrësit në shtegtim e kuptuan shumë shpejt se Tejar ishte dhuratë e Zotit për ekspeditën. Shkencëtar i madh e njeri i fesë, ky jezuit pesëdhjetë vjeçar bënte prej kohe kërkime shkencore për zanafillën e botës. I kishte rënë kryq e tërthor zonave më të egra të Afrikës e të Azisë, në kërkim të gjurmëve të njerëzve të parë, për të zbuluar misteret e zanafillës së historisë. Kishte shkruar edhe libra, të cilët Kisha e asaj kohe i shikonte me një lloj mosbesimi, sepse në këtë epokë kishte ende dyshime për teoritë tepër shkencore mbi krijimin e botës, të cilat mund t’i shtynin të krishterët ta konsideronin si të rreme gjithçka shkruhet në Bibël. Tejar e dinte se Bibla nuk tregon mënyrën sesi u duk jeta mbi tokë, por i jep përgjigje pyetjes pse Zoti deshi ta krijojë botën.
Qe besimtar i përvujtë përballë madhështisë së botës dhe mistereve që shqyrton mendja e njeriut. Shokët e tij të aventurës zbuluan tek ai njeriun që u ngjalli dëshirën ta kërkojnë Hyjin përvujtërisht, ashtu si bënte ai vetë i pari. Në përfundim të Meshës, ku morën pjesë me shumë dëshirë të gjithë, kryetari i ekspeditës, Haardt, i shkroi së shoqes: “Atë Tejar dë Shardë është princ i Kishës!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.